Mëngjesin e së mërkurës, 176 persona, shumica e tyre iranianë dhe kanadezë,  humbën jetën pas rrëzimit të avionit ukrainas në aeroportin e Teheranit. Ngjarja e rëndë ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë kur Irani sulmoi me raketa bërthamore bazat ushtarake amerikane në Bagdad. Tragjedia katastrofike la pas edhe pikëpyetje të mëdha mbi shkakun e vërtetë të aksidentit ajror.

 

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau bëri të ditur se ka të dhëna për një goditje jo të qëllimshme të Boeing 737 në Teheran nga një raketë iraniane. Ai iu referua informacioneve nga burime të ndryshme, edhe nga aleatët dhe shërbimet informative. Edhe presidenti Trump forcoi dyshimet ndërsa hetimet vazhdojnë dhe fluturimet drejt Iranit janë anulluar plotësisht.

 

Ukraina zyrtare ka deklaruar se ka mbledhur informacione të rëndësishme dhe se presidenti Zelenski do të bisedojë në orët në vijim me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo.

 

Drejtuesi i autoritetit iranian të fluturimeve, Ali Abedsadeh tha se do të lejohen ekspertë nga SHBA, Kanadaja, Franca, Ukraina dhe Rusia për të marrë pjesë në hetime. Irani ka deklaruar se do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë teknike, për të zbardhur shkakun e rrëzimit të avionit dhe se marrja e informacionit nga kutitë e zeza të mjetit fluturues mund të zgjase edhe disa muaj. Teherani e ka kundërshtuar me forcë mundësinë se një raketë rrëzoi avionin.

 

Disa media amerikane, janë shprehur, se po krijohet gjithnjë e më shumë bindja për rrëzimin padashur të avionit. Kjo teori mbështetet nga disa analiza të satelitëve, radarëve dhe të dhënave elektronike, që mblidhen zakonisht nga ushtria dhe shërbimet sekrete amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *