Në Teheran liderët e Rusisë, Iranit dhe Turqisë vendosën përparësitë e vendeve të tyre për një sërë çështjesh. Lufta në Ukrainë, projekti bërthamor i Iranit, konflikti në Siri, kriza e ushqimeve ishin në fokus të bisedimeve trepalëshe.

 

Udhëheqësi i Iranit Ibrahim Raisi theksoi se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ishte e justifikuar dhe se nëse Moska nuk do të kishte dërguar trupa ajo do të ishte përballur me një sulm nga NATO.

 

Putin vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Moskës dhe Teheranit. Shefi i Kremlinit theksoi në deklaratën përmbyllëse se të dyja vende do të kenë bashkëpunim në çdo fushë duke nënkuptuar edhe atë bërthamore.

 

Presidenti rus Putin diskutoi edhe me Erdogan për zhbllokimin e grurit ukrainas.

 

VLADIMIR PUTIN

PRESIDENTI I RUSISE

Diskutuam me Erdogan bashkëpunimin midis Rusisë dhe Turqisë në lehtësimin e eksporteve të grurit rus dhe ukrainas në tregjet botërore. Nuk janë zgjidhur ende të gjitha problemet, por është mirë që ka pasur përparim.

 

Presidenti turk vlerësoi qasjen e delegacionit rus në Stamboll në lidhje me bllokimin e drithërave.

 

TAIP ERDOGAN

PRESIDENTI I TURQISE

Qasja e delegacionit rus në takimet e fundit të Stambollit ishte shumë pozitive. Rezultati i bisedimeve do të ketë një ndikim pozitiv në të gjithë botën.

 

Të tre liderët patën edhe një diskutim në lidhje me situatën në Siri, ku janë dakordësuar për të luftuar terrorizmin.

 

Turqia ditët e fundit pati artikuluar një ndërhyrje ushtarake në pjesën veriore të Sirisë për të luftuar organizatat kurde, por ndërhyrja nuk është miratuar nga Putini dhe Teherani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *