Një zëdhënës i diplomacisë iraniane deklaroi sot se Republika Islamike kundërshton dhe e konsideron “skandaloze” “zhvendosjen e detyruar” të banorëve të Rripit të Gazës, të cilës i referohej një ditë më parë presidenti amerikan Donald Trump.
Trump paraqiti një plan që parashikon marrjen e kontrollit të Rripit të Gazës nga SHBA.
“Plani për të zbrazur Gazën dhe për të zhvendosur me forcë palestinezët në vendet fqinje është pjesë e vazhdimit të planit të regjimit sionist për të eliminuar plotësisht kombin palestinez,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.
Propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga Gaza dhe për ta vendosur territorin nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara ka nxitur reagime të ashpra në mbarë botën, përkrah rrezikut të përmbysjes së politikës afatgjatë amerikane ndaj Izraelit dhe palestinezëve.
“SHBA-ja do të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe do të bëjmë diçka me të. Do ta zotërojmë atë”, tha Trump gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, më 4 shkurt.
Detajet se si do të zbatohej ky propozim, i cili u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.
Ky propozim ka shkaktuar shqetësime se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.
Armëpushimi me disa faza, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar, ndaloi përkohësisht më shumë se një vit luftime në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.
“Frika është se propozimi i Trump mund të dëmtojë mundësitë për lirimin e pengjeve të mbetura”, tha Azriel Bermant, nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë.
Faza e dytë e armëpushimit parasheh një fund të përhershëm të luftës, por negociatat për ta finalizuar dhe zbatuar atë nuk kanë filluar ende.
“Ekziston rreziku që kjo të dëmtojë përpjekjet” për të rënë dakord dhe për ta zbatuar fazën e dytë të armëpushimit, theksoi Bermant.
Aleatët dhe kundërshtarët, të revoltuar
Vendet kryesore arabe, përfshirë ato që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, e kanë refuzuar në mënyrë të përbashkët kërkesën e fundit të Trumpit që Egjipti dhe Jordania t’i pranojnë banorët e Gazës.
Tani, Trumpi ka shkuar edhe më tej duke sugjeruar se jo vetëm që dëshiron zhvendosjen e banorëve të Gazës, por synon që Shtetet e Bashkuara ta marrin kontrollin dhe ta shndërrojnë atë në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”.
Lideri palestinez, Mahmud Abbas, e ka refuzuar propozimin e Trumpit, duke deklaruar se “të drejtat legjitime të palestinezëve nuk janë të negociueshme”.
Aleatët dhe kundërshtarët e SHBA-së e kanë kritikuar gjithashtu planin, duke përsëritur thirrjet për krijimin e një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit.
Ministria e Jashtme e Francës deklaroi se zhvendosja e palestinezëve do të përbënte një “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar” dhe këmbënguli se Gaza nuk mund të kontrollohet nga “një shtet i tretë”.
Sauditët, të cilët mbajnë marrëdhënie të mira me presidentin Trump, paralajmëruan se ata “nuk do të vendosin marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa një shtet sovran palestinez me Jerusalemin lindor si kryeqytet”.
Trump synon që fuqia rajonale, Arabia Saudite, t’u bashkohet Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin nën Marrëveshjet e Abrahamit, por është e vështirë të shihet se si mund të ecë përpara ky proces duke marrë parasysh propozimin e tij të tanishëm për Gazën.
Kina dhe Rusia kanë shprehur gjithashtu kundërshtimin e tyre ndaj zhvendosjes së detyrueshme të palestinezëve.
Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 2.4 milionë refugjatë të regjistruar palestinezë jetojnë aktualisht në Jordani. Shumë prej tyre janë zhvendosur që disa gjenerata, por kanë luftuar për të drejtën e kthimit në bazë të ligjit ndërkombëtar.
Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e refugjatëve palestinezë në Egjipt, por raportet thonë se të paktën 115.000 banorë të Gazës kanë kaluar kufirin me Egjiptin që nga shpërthimi i luftës në tetor të vitit 2023./vizionplus.tv