Irani ka thënë të enjten se ka ekzekutuar një të burgosur, që supozohet se është dënuar gjatë protestave mbarëkombëtare të javëve të fundit.

 

Ky ekzekutim besohet se shënon ndëshkimin e parë të tillë të kryer nga Teherani.

 

Ekzekutimi vjen teksa edhe të burgosur të tjerë përballen me dënime me vdekje për përfshirjen e tyre në protestave.

 

Protestat kanë shpërthyer kundër Policisë për Moral në Iran, pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjeçares e cila është ndaluar nga zyrtarë të këtij departamenti, nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

 

Ndërkohë protestat janë zgjeruar edhe me kërkesa tjera, duke sfiduar teokracinë e Iranit në mënyrë më serioze prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

 

Aktivistët paralajmërojnë që edhe persona tjera mund të ekzekutohen.

 

“Ekzekutimi i Mohsen Shekarit duhet të rezultojë me reagime të fuqishme, pasi në të kundërtën do të përballemi me ekzekutime të përditshme të protestuesve”, ka thënë Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i Grupit për të Drejtat e Njeriut në Iran, që ka selinë në Oslo.

 

“Ky ekzekutim duhet të përcillet me pasoja praktike në nivel ndërkombëtar”.

 

Agjencia iraniane e lajmeve, Mizan, e ka bërë të ditur ekzekutimin.

 

Në të, burri i ekzekutuar është akuzuar për bllokim të rrugëve dhe sulm ndaj pjesëtarëve të sigurisë në Teheran.

 

Deri më tani, të paktën 475 persona kanë vdekur nëpër protestat e nisura javë më parë në Iran, derisa mbi 18.000 të tjerë besohet se janë arrestuar.

 

Irani është një prej vendeve që kryen më së shumti ekzekutimeve në botë.

 

Autoritetet e këtij vendi i ekzekutojnë të burgosurit kryesisht duke i varur./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *