Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë fund misionit të tyre luftarak në Irak, duke bërë që trupat e mbetura në atë vend tani të kenë rol këshillues dhe trajnues.

 

Përgjegjësia për udhëheqjen e luftës kundër grupit terrorist të vetëquajtur Shteti Islamik në Irak tani është zhvendosur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të koalicionit tek forcat irakiane të sigurisë.

 

Lajmi u bë i ditur pasi Iraku dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i dhanë fund raundit përfundimtar të bisedimeve teknike të enjten.

Njoftimi rikonfirmoi një vendim të muajit korrik të Presidentit Joe Biden për t’i dhënë fund misionit luftarak amerikan në Irak deri më 31 dhjetor. Dr. Saad Maan, Gjeneral Major në Ministrinë e Brendshme të Irakut, foli për median rreth marrëveshjes.

 

“Koalicioni do ta përfundojë plotësisht kalimin në misione joluftarake para fundit të këtij viti, në bazë të asaj që është rënë dakord. Këshilltari për sigurinë kombëtare, Qassim al-Araji, theksoi se bashkëpunimi mes forcave irakiane dhe koalicionit ndërkombëtar do të vazhdojë në fushat e këshillimit, ndihmës dhe fuqizimit”.

 

Zyrtarët ushtarakë amerikanë shprehën besimin se marrëveshja e re do ta mbajë nën kontroll IS-in.

Sekretari i shtypit në Pentagon, John Kirby, u tha gazetarëve se rreth 2,500 trupat amerikane aktualisht në Irak do të qëndrojnë atje për momentin./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *