Me rastin e festës së shenjtë të Krishtlindjes, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri i janë drejtuar popullit shqiptar me një mesazh të përbashkët. Të bashkuar në një frymë vëllazërore ata kanë vendosur që këtë vit të flasin me një zë të vetëm, duke përcjellë një mesazh dashurie, shprese dhe paqeje. Ky mesazh synon të forcojë besimin, solidaritetin dhe shpresën në zemrat e të gjithë besimtarëve dhe mbarë shoqërisë shqiptare.
“Të dashur vëllezër dhe motra, këtë urim Krishtlindjesh menduam t’ia u bëjmë së bashku të gjithë ne Ipeshkvitë e Shqipërisë. Secili nga ne ka një fjalë pqr t’iu drejtuar popullit të Zotit që është në Shqipëri”, ishte urimi i Imzot Gjergj Metës, Ipeshkvit të Rrëshenit.
“Me rastin e festës së Krishtlindjes, dëshiroj t’iu drejtoj të gjithëve një lajm shprese. Zoti u bë njeri dhe banoi ndër ne. Krishtlindja na kujton që Zoti është pranë nesh, ai hyn në jetën tonë të përditshme, bëhet i pranishëm aty ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje“, tha Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit.
“ Populli që ecën në errësirë pa një dritë të madhe e mbi këtë luginë të errët shndrriti drita e fuqishme. Zoti shndrrit në jetën tonë, në errësirat e ekzistencës tonë ”, tha Imzot Arjan Dodaj Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës.
“Jam i lumtur t’iu drejtohem të gjithëve me rastin e Krishtlindjes së shenjtë, festës që Kisha kremton çdo vit duke përkujtuar lindjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Ta pranojmë me lutje dhe me gëzime atë që po vjen”, tha Ipeshkvi i Lezhës, Imzot Ottavio Vitale.





