Subscribe

Kryeministri u premton fermerëve mbështetje për rritjen e investimeve në sektorin, që konsiderohet si një ndër motorët e zhvillimit. Në një takim me fermerët e Zharrës në Patos, Rama theksoi se qëllimi i qeverisë, është financimi përmes kredive nga bankat e nivelit të dytë. Rolin e ndërmjetësuesit do e bëjë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

“Duke pasur gjithmonë parasysh që edhe bankat nuk i japin paratë symbylluri. Ato kanë nevojë për një projekt, kanë nevojë që të binden, por dhe për këtë do të jetë në mes shteti. AZHBR do të funksionojë si një ndërmjetës midis jush dhe bankave. Ju nuk do të vraponi sportel më sportel e bankë më bankë, por thjesht do të aplikoni përmes AZHBR-së dhe është AZHBR-ja që do të ndërmjetësoj për ju dhe do të garantojë për ju. Kjo është një mundësi e re. Banka Europiane për Zhvillim dhe Integrim e konsideron një model të ri eksperimental edhe në nivel më të gjerë rajonal, që bëhet me Shqipërinë, sepse qeveria jonë e ka çuar përpara këtë ide që është pëlqyer. Tani jemi në kohën që të provojmë që kjo ide funksionon”.

Kreu i qeverisë bëri me dije se duke nisur nga ky muaj, nis aplikimi nga skema mbështetëse e Bashkimit Europian me 71 milionë euro grante për investime dhe makineri në fshat.

“Historia e suksesit të çdo familjeje që jeton në fshat matet me të ardhmen. Dhe unë këtu  jam që të flasim për të ardhmen, me mirëkuptimin e plotë që mundësitë tona nuk janë të pakufizuara, nevojat tona do të jenë gjithmonë shumë më të mëdha se mundësitë, por ne kemi një mundësi të madhe që, duke ndërtuar një ndërveprim të saktë midis qeverisë, bashkive, institucioneve financiare dhe me sytë nga fermerët, t’i japim bujqësisë dhe fshatit në 3 vitet e ardhshme, 300 milionë euro plus, që nuk vijnë nga buxheti dhe që janë para të lira për fshatin”.

Kryeministri Rama gjatë vizitës në Patos, ka inspektuar edhe punimet në Shëtitoren “Republika”, që konsistojnë në rikonstruksionin e plotë të saj. Po ashtu, ai ishte pjesë e përurimit të rikostrunksionit të shkollës “Zhani Ciko”. Kryeministri ishte pjesë e surprizës së Ilir Kaninit, i cili pas 33 vitesh punë del në pension. Edi Rama i rezervoi atij një vizitë të paralajmëruar ne zyrën e tij në Ministrinë e Arsimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *