Interes për Paketën e Maleve, në qarkun e Shkodrës janë regjistruar 670 aplikues

Interesi për Paketën e Maleve vijon të jetë i lartë në qarkun e Shkodrës. Në total 670 aplikues kanë kërkuar që të përfshihen në këtë program, i cili synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.
Sipas të dhënave, zonat që kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve janë Theth – Ndërlysaj me 274 aplikime dhe Rragam – Sheldi me 51 aplikime.
Për shkak të interesit të shprehur edhe në zona të tjera, është dërguar kërkesë për shpalljen si zona prioritare edhe për fshatra të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Postribë.
Interesi më i madh për Paketën e Maleve në Bashkinë Vau i Dejës përqendrohet në zonat përgjatë luginës së lumit Drin, të cilat konsiderohen me potencial të lartë zhvillimi.
Qytetarët dhe investitorët mund të aplikojnë për të përfituar nga mbështetja e këtij programi, i cili adreson zhvillimin industrial dhe turistik./vizionplus.tv




