Inter është finalisti i parë i Uefa Champions League për sezonin 2022-2023.

Zikaltrit e mundën Milanin në euroderbi edhe në duelin e dytë, duke kaluar me meritë në finale e Stambollit që do të luhet ne 10 qershor.

 

Sukses i madh për Interin, që për herë të fundit në finalen e këtij trofeu kishte qenë 13 vite me parë kur fitonin ndaj Bajernit në finale.

 

Ndaj kuqezinjve, në supersfidën e transmetuar në Tring, Interi koleksioni edhe një hakmarrje të ëmbël, pasi 20 vite me parë nxirreshin jashtë nga kushërinjtë në gjysmëfinale. Ndryshe nga ato përplasje, këtë herë dueli nuk pati shumë histori. Suksesi 2 me 0 në ndeshjen e parë e bëri me të lexueshëm ndeshjen e kthimit.

 

Ndonëse Milani u përpoq shumë në pjesën e parë të rihapte llogaritë. Dhe në fund shanset i pati të pastra, madje falë Brahim Diaz dhe Leaos, por nuk ia doli mbanë, përpos një pjesë të parë në nivele shumë të mira. Edhe Interi nga ana tjetër pati një rast të pastër, por gjuajtja me kokë e Xhekos, gjeti të gatshëm një super Menjon.

 

Pjesa e dytë nisi me një ritëm më të ulët, me Milanin që sikur u dorëzua para kohe. Leao thuajse i zhdukur dhe jo në 100% të formës fizike, Zhiro i izoluar përpara dhe Mesias inekzistent ishin tregues të një tjetër natë jo të skuadrës së Piolit kundër Interit. Për t’i vënë vulën notave negative mendoi edhe mbrojtja, e cila u dorëzua para një super Lautaro Martinez në minutën e 74.

 

Festë totale tek zikaltrit, të cilët ëndërrojnë të jenë në majën e Europës, ndonëse kundër Manc.City ose Real Madrid do të jetë tmerrësisht e vështirë. E megjithatë, të ëndërrosh nuk të kushton asgjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *