Klasikja e futbollit Italian Juventus-Inter i shkoi zikaltërve. Një fitore minimaliste, por shumë e rëndësishme e skuadrës së Inzagit që e bën edhe më spektakolar garën për titullin kampion në Itali, dhe gjithashtu nxjerr jashtë kësaj loje përfundimisht Juventusin, që tani duhet të kënaqet vetëm me zonën Champions. Supersfida e javës së 31 u zgjidh nga një episod që prodhoi shumë tension dhe polemika gjatë dhe pas ndeshjes. 11-metërshi në favor të Interit që u kthye në gol nga Calhanoglu në minutën e 5 shtese të pjesës së parë. Përtej këtij momenti vendimtar, në një ndeshje të luftuar fort, bardhezinjtë patën më shumë shanse në pjesën e parë. Fillimisht tranversa e Kielinit dhe pastaj shanset e pashfrytëzuara nga Morata, Dibala dhe Vlahoviç. E kur nuk shënon mund ta pësosh thotë rregulli i pashkruar në futboll. Në shtesën e pjesës së parë Morata ka një kontakt me Dumfris në zonën juventine. Gjyqtari pas konsultimit me sistemin VAR dhe videomonitorin vendos të jap 11-metërsh. Shcezni pret gjuajtjen e Hakan Calhanoglu, mirëpo De Ligt ishte futur më herët në zonë para se lojtari mik të godiste, ndaj gjyqtari Irrati vendos ta përsërisë. Dhe në tentativën e tyre Calhanoglu nuk gabon më. Në pjesën e dytë historia nuk ndryshon. Juventus bën lojë dhe krijon raste, ndërsa Inter duke pasur edhe fatin me vete reziston. Denis Zakaria goditi shtyllën dhe më pas ishte pjesë e një episodi të dyshimte për 11-metërsh, që nuk u dha nga gjyqtari. Fitore jetike e Interit pas 10 vitesh në Torino dhe më në fund një reagim i skuadrës zikaltër, e cila kishte marrë vetëm 7 pikë në 6 takimet e fundit. Inter me 63 pikë në klasifikim dhe më një ndeshje më pak është totalisht në korsinë e titullit ndonëse Milani sonte në shtëpi kundër Bolonjës ka shansin të riçojë diferencën në +6 pikë kundrejt zikaltërve. Takimi i mbrëmjes së sotme transmetohet në Tring, sikurse u transmetua edhe dueli Juventus-Inter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *