Në ditën e pestë radhazi, protestat në Turqi janë intensifikuar. Më shumë qytetarë dolën në rrugë të dielën pas vendimit të një gjykate turke për të lënë në burg kryebashkiakun e Stambollit, rivalin kryesor politik të Presidentit Erdogan, në pritje të gjykimit për akuzat për korrupsion.
Vendimi për të dërguar Imamoglu në burg vjen pasi partia kryesore opozitare, liderët evropianë dhe qindra mijëra protestues kritikuan veprimet kundër tij si të politizuara dhe jodemokratike.
Sipas forcës politike të Imamoglu, partisë popullore republikane, rreth 15 milionë persona votuan në mbarë Turqinë për të zgjedhur kryebashkiakun e burgosur si kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
13 milionë nuk ishin anëtarë të partisë, gjë që tregon mbështetjen e gjerë popullore që Imamoglu gëzon përtej partisë së tij. Qeveria mohon që hetimet janë të motivuara politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura, ndërsa ka ndaluar edhe për katër ditë të tjera mbajtjen e tubimeve.
Megjithëse një vendim i tillë nuk ka mundur t’i ndalë protestat dhe përleshjet me policinë që kulmuan të dielën në mbrëmje. Demonstrues të shumtë u mblodhën pranë bashkisë së Stambollit, ku u përballën me efektivët që përdorën spraj më piper dhe gaz lotsjellës.
Në qytete të tjera u përdorën mjetet ujëhedhës për të shpërndarë turmat. Qindra protestues janë arrestuar ditët e fundit për prishje të rendit publik, ndërsa mbrëmjen e të dielës autoritetet ndaluan pa ndonjë arsye të qartë edhe 9 gazetarë që raportonin mbi demonstratat.
/vizionplus.tv





