Integrimi/ Meta: Të zbërthehen të gjitha kushtet e vendosura nga BE
Presidenti Ilir Meta shprehet se inkurajon që në plan-veprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit kërkon që të zbarthehen të gjitha kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës.
“Inkurajoj që në Plan-Veprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, të zbërthehen një për një të gjitha kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë e të matshëm të veprimit dhe kostot financiare për çdo zë. Konsolidimi e më tej zbatimi i këtij Plan-Veprimi duhet të vërtetojë se Shqipëria jep rezultate!”
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian mbajtur këtë të martë, Meta deklaroi se ky është momenti që politika të vendosë interesin kombëtar para së gjithash dhe të dialogojë.




