Subscribe

Heqja e vetos greke që po mban peng vazhdimin e procesit anëtarësues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është çështja mbi të cilën qeveria është investuar për ta zgjidhur sa më shpejt.

“Ka bisedime, ka negociata, ka angazhime dhe angazhim serioz nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”, tha Igli Hasani.

Përveç bisedimeve me Athinën zyrtare, Ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se qeveria po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore për të gjetur një zgjidhje. Dhe mes tyre është edhe ai i gjykatës së posaçme që në vendimin e saj sjell në vëmendje praktikat evropiane ku qeveria vendos një administrator për të drejtuar bashkinë.

“Vendimi i GJKKO po merret në shqyrtim nga qeveria dhe po shihen të gjitha hapat të cilat do të na sjellin në një situatë që do të krijojë një zgjidhje afatgjatë dhe të besueshme”, shtoi Hasani.

Me Greqinë, Shqipëria ka edhe një tjetër çështje të pazgjidhur, përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Përveç angazhimit të dy kryeministrave Edi Ramës dhe Kyriakos Mitsotakis për t’ia lënë shqyrtimin drejtësisë ndërkombëtare, Igli Hasani tha se nga presidenti Bajram Begaj ende nuk është marrë plotfuqia për të nisur negociatat për një nga çështjet më të nxehta me fqinjin tonë jugor.

“Unë i kam shprehur edhe një herë presidentit të republikës jo vetëm gadishmërinë time personale, por edhe stafit të Ministrisë së Jashtme që ne ta ushqejmë me më shumë informacion, ide lidhur me vendimin që ai duhet të marrë për të na fuqizuar me dhënien e mandatit për të filluar një negociatë që qartazi ka ato detyrime që ka”, deklatoi ministri i Jashtëm.

Falënderues për punën e bërë nga dy paraardhësit e tij, Gent Cakaj dhe Olta Xhaçka, shefi i diplomacisë e cilësoi histori suksesi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në politikën ndërkombëtare, veçmas atë për Kosovën.

“Një gjë është e pandryshueshme dhe konstante kushdo që të jetë kryeministër apo ministër i jashtëm në Tiranë dhe Prishtinë që Kosova nuk do të ketë aleat më të fuqishëm dhe më të mirë se Shqipëria dhe SHBA dhe se integriteti i saj tërritorial ruhet nga NATO”, shtoi më tej ministri.

Në 2024-ën Igli Hasani është besimplotë se bllokada greke do të tejkalohet dhe vendi ynë do të nisë hapjen e grup-kapitullit të parë që zyrtarizon çeljen e negociatave anëtarësuse me BE-në./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *