Subscribe

Shoqatat e biznesit vijojnë të këmbëngulin me forcë se paketa fiskale nëse do të miratohet sikundër është propozuar, do të rrënojë fermerët dhe industrinë përpunuese.

 

Prodhuesit e qumështit i kanë kërkuar qeverisë mbështetje konkrete, kryesisht për blegtorinë, ndërsa kanë argumentuar se ky treg tashmë është në informalitet të plotë.

 

Ne kërkojmë një TVSH të reduktuar në masën 6 % për çdo produkt me origjinë shtazore njësoj siç është edhe në turizëm. Norma prej 20% siç është aktualisht është shumë e lartë për industrinë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit dhe aspak favorizuese kur e krahason me vendet e rajonit. Duhet 10 lekë për litër subvencionim për çdo litër qumësht që dorëzohet nga fermeri në pikat e grumbullimit. Kjo do të bëjë që çdo fermer të përfitojë si çdo fermer tjetër i rajonit.- u shpreh Donjaldo Hoxha nga kjo industri.

 

Industria e qumështit jep shifra alarmante te informaliteti në këtë treg. Sipas tyre në vend prodhohen  1 milion e 100 mijë ton qumësht, por vetëm 11 % pra 110 mijë ton kalojnë në proces kontrolli.

 

Pjesa tjetër 89 % është totalisht informale  në sektorin e qumështit. Nga kjo shifër 30% përdoret për nevojat vetjake të fermerëve, pjesa tjetër përdoret në baxho të palicencuara.

 

8 kompanitë më të mëdha të prodhimit të bulmetit në vend, mohojnë se përdorin qumësht pluhur në produktet e tyre.

 

Në produktet që ne tregtojmë si qumësht, kos, djathë, salcë etj nuk përdoret qumështi pluhur, pasi përbën vepër penale. Por nëse vendos një taksë për këtë lloj qumështi,  ajo duhet të jetë edhe për çdo produkt final që ble konsumatori, si akullore, biskota, ëmbëlsira, çokollata etj.

 

Në çdo rast përdorimi i qumështit pluhur kur përdoret duhet të evidentohet në etiketën e produktit që shitet në treg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *