Pavarësisht presionit nga vendet perëndimore, India ka qëndruar e palëkundur në partneritetin e saj me Rusinë, duke refuzuar të dënojë luftën në Ukrainë dhe duke mos vendosur sanksione ndaj Moskës, siç ka bërë Perëndimi. Megjithatë, analistët thonë, se kjo nuk ka ndikuar dhe nuk ka gjasa të ndikojë në marrëdhëniet mes Indisë dhe Shteteve të Bashkuara.

 

 

Gjatë një vizite në Moskë muajin e kaluar, Ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar tha se Nju Delhi do të forconte lidhjet ekonomike me aleatin e tij të Luftës së Ftohtë. “Për ne, Rusia ka qenë një partner i qëndrueshëm dhe një vlerësim objektiv i marrëdhënieve tona për dekada me radhë do të konfirmonte se ky partneritet i ka shërbyer shumë mirë dy vendeve”, tha ai. Nju Delhi ka abstenuar nga rezolutat e Kombeve të Bashkuara që dënojnë Moskën për agresionin e saj. Analistët thonë se për shkak të varësisë së ushtrisë indiane tek tanket, avionët luftarakë dhe pajisjet e tjera ruse, vendi nuk mund ta përballojë izolimin e Moskës, veçanërisht në një kohë kur tensionet me Kinën po rriten dhe prania e ushtrive të dy vendeve është e intensifikuar për dimrin e tretë radhas përgjatë kufirit të diskutueshëm në Himalaje. “Nëse ushtaria e saj po përballet me kinezët, India nuk mund të veprojë kundër shtetit që e furnizon me armë,” thotë Harsh Pant, zëvendës president në Fondacionin Kërkimor Vëzhgues në Nju Delhi.

 

 

Në kundërshtim me thirrjet e udhëheqësve perëndimorë për të mos blerë lëndë të papërpunuar ruse, India rriti blerjet e saj të naftës, qymyrit dhe plehrave kimike nga Moska. Në fund të këtij viti, Rusia u bë furnizuesi kryesor i Nju Delhit me naftë, nga vetëm 1% të tregut që zinte në fillim të luftës. Zyrtarët indianë thanë se blerja e naftës nga Moska ishte në avantazh të vendit. “Dy vendet kanë shkëmbime që janë të rëndësishme për të dyja palët, si energjia apo mbrojtja dhe India do të marrë një vendim duke u bazuar te interesi kombëtar”, thotë Sreeram Chaulia, dekan i Shkollës së Çështjeve Ndërkombëtare “Jindal”. Disa kritikë druhen se qëndrimi neutral i Indisë ndaj Rusisë do të tensionojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara, teksa India është anëtari i vetëm i aleancës Quad, që përbëhet nga India, SHBA, Japonia dhe Australia, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

 

 

Kritikët thonë se sasia e madhe e naftës që India po blen nga Rusia po dëmton përpjekjet perëndimore për të ndëshkuar Rusinë për sulmin e saj. Por tensionim të marrëdhënieve nuk pati, pasi SHBA-të dhe India rritën partneritetin e tyre strategjik për të kundërshtuar zgjerimin territorial të Kinës. Në shtator, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij indian, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se marrëdhëniet Indi- SHBA ishin raportet më të “frytshme” në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *