Incident terrorist në Australi, policia vret një 29-vjeçar somalez

Një incident terrorist ka ndodhur në Melburne në Australi, me pasojë vrasjen e një 29 vjeçari somalez nga ndërhyrja e policisë.
Forcat speciale të policisë kanë mbërritur në një apartament pas sinjalizimeve për një shpërthim dhe gjetën një burrë të vdekur në korridor. Një person i identifikuar si Yacqub Khayre, ishte i armatosur me një pushkë të tipit “shotgun” i cili po mbante peng një grua.
Khayre, 29 vjeç, telefonoi një radio gjatë pengmarrjes për të komunikuar se po vepronte në emër të Shtetit Islamik.
Grupi terrorist përmes një deklarate mori përsipër përgjegjësinë.
Megjithatë, policia deklaron se nuk ka prova për një pistë të tillë. Tre efektivë të policisë mbetën të plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me Khayre, që nga ana e tij mbeti i vrarë. Ndërkohë, gruaja që mbahej peng ka dalë e palënduar.
Shefi i policisë së Viktorias, Graham Ashton deklaroi se personi që policia gjeti të vdekur që në fillim ishte një punonjës i ndërtesës, që ndodhej në vendin e gabuar në kohën e gabuar.
Autoritetet po hetojnë nëse pengmarrësi 29-vjeçar, një shtetas australian me origjinë somaleze, mund të jetë shtirur si karrem për të tërhequr policinë në lagjen e pasur Brajton, me qëllim që të përballej me ta.
Kryekomisari Ashton deklaroi se komentet e bëra nga Khayre, që i referoheshin ISIS dhe Al Kaedës, kanë nxitur hetimet në pistën e terrorizmit.




