Subscribe

Ish kryeministri, Sali Berisha ka vijuar akuzat e tij ndaj kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, për të cilin thotë se është “koka” e vërtetë e aferës së inceneratorit. Ai thekson se Veliaj ka gjetur forma alternative për të realizuar këtë aferë, në shkelje të plotë me legjislacionin.

 

“Veliaj nuk është myshteri i djegësit të Tiranës, por është pronari dhe hajduti kryesor në këtë vjedhje. Veliaj tha që përgjegjësi të mbajë ai që ka bërë gabimet. Aktet dhe firmat, nuk janë gabime por krime të rënda penale dhe mbajnë firmën e Veliajt. Rezulton se kontrata e djegësit të Erion Veliajt, e cila në 30 vite u kushton taksapaguesve rreth 1 miliardë euro, nga të cilat 450 janë pagesat për mbetjet e djegshme dhe 450 të tjera janë për dherat dhe inertet, pjesa tjetër janë të gjitha fitime që nxirren nga shitja e hekurit, letrës, etj. Kjo ngarkesë 30 vjeçare, 1 miliardë euro mbi shpatullat e taksapaguesve kalon vetëm me firmën e Veliajt, në dhunim të kushtetutës, pa miratimin e këshillit bashkiak. Kjo për faktin se ai nuk kishte ⅗ dhe miratimi në këshill i kësaj barre të rëndë kërkonte ⅗ e votave”, tha Berisha.

 

Ish kryedemokrati shprehet se Veliaj për nënshkrimin e kontratës ka kryer një krim të shëmtuar.

 

“Veliaj ka kryer një krim të shëmtuar se ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e kontratës që nuk e ka kaluar në Këshillin Bashkiak. Në përgjigje të shkresës që i dërgon Gjiknuri, aso kohe ministria që duhet të bënte pagesat për djegësin, Veliaj shkruan “Bashkia pranon se është vënë në dijeni për detyrimet e kontratës dhe angazhohet për të gjitha detyrimet që rezultojnë si të tilla për Bashkinë e Tiranës duke përfshirë kryerjen e të gjitha pagesave sipas çmimit 29 euro për ton, pa TVSH, ose çdo çmimi të modifikuar në bazë të kontratës”.

 

Berisha ka përsëritur thirrjen e tij ndaj drejtësisë për të vënë para përgjegjësisë ata që ai i cilëson si përgjegjës për inceneratorët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *