Subscribe

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për aferën korruptive të inceneratorit të Fierit.

 

Këtë të hënë togat e zeza kanë dënuar me 10 vite burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili përmes gjykimit të shkurtuar do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.

 

Nga e njëjta procedurë ka përfituar edhe ish-deputeti i partisë socialiste, Alqi Bllako. Gjykata këtë të fundit e dënoi me 4 vite burg, por do të vuajnë 2 vite e 8 muaj në total.

 

Edhe pse është ende në kërkim nga policia, gjykata ka dënuar me 12 vite burg Klodian Zoton, por ai do të vuajë 8 vite burg.

 

Arben Dervishaj, mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit, është shpallur i pafajshëm. Akuzat u rrëzuan gjithashtu për Juri Imeraj, administrator i një kompanie private si dhe Arjola Kodra, administratore e Inceneratorit të Tiranës.

 

Dënime më të buta janë dhënë tek zyrtarët e tjerë, të cilët kanë përfituar dhe janë dënuar me shërbim prove.

 

Lefter Koka dhe Alqi Bllako nuk ishin në seancë gjatë dhënies së dënimit. Pritet që avokatët e tyre ti drejtohen Gjykatës së Posaçme të Apelit.

 

Në seancën e kaluar Lefter Koka hodhi poshtë akuzat e ngritura nga SPAK lidhur me inceneratorin e Fierit.

 

Ai tha se akuzat janë politike të orkestruara nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Sipas tij, edhe pse ishte ministër, ai nuk kishte fuqi vendimmarrëse, por roli i tij ishte ekzekutiv.

 

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën në dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë.

 

Ndërkohë, nëse Apeli lë në fuqi të njëjtat dënime, Lefter Koka dhe Alqi bllako pritet të dalin më herët nga burgu, për shkak të kohës së gjatë në paraburgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *