Subscribe

Për më shumë se 5 orë, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme në lidhje me hetimet e nisura për inceneratoret. Subashi u paraqit përpara prokurorëve pa praninë e avokatit. Sipas burimeve, mësohet se SPAK ka zgjeruar hetimet dhe është në fazat e fundit të procedurave për inceneratorin e Fierit. Pas dëshmisë, Subashi tha se do të paraqitet sa herë që ta kërkojnë prokurorët për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje.

 

“U thirra në cilësinë e deklaruesit dhe dhashë shpjegime për inceneratorin e Fierit. Do vij sa herë të më thërrasë prokuroria. Nuk mund të flas më shumë se është çështje në hetim.”

 

Në SPAK, më herët ishte dhe deputeti socialist, Alqi Bllako, i cili është pyetur për rolin e tij si ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në kohën kur janë miratuar lejet për inceneratorët.

 

SPAK po heton dosjet e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe atë të Tiranës. Sa i takon inceneratorit të Fierit, në burg, i akuzuar për përfitimin e 3.7 milionë eurove është ish-ministri i mjedisit Lefter Koka.

 

Ndërkohë, Klodian Zoto është shpallur në kërkim së bashku me administratoren Stela Gugallja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *