Inaugurohet këndi lodrave në Vaqarr, Veliaj: Gati financimi i rrugës Tiranë-Ndroq”

Falë projektit të Bashkisë së Tiranës “Luaj Tirana”, i cili po shtrihet edhe në zonat rurale, fëmijët e Vaqarrit kanë një kënd të ri lojërash.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte këtë të shtunë në hapjen e këndit me sipërfaqe 1155m2, që plotëson nevojat e të gjitha grupmoshave të komunitetit në zonë, me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhjeje për më të rriturit.
Kryebashkiaku theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur, duke shtrirë investimet jo vetëm në qendër, por edhe në zonat rurale.

“Është gjithmonë kënaqësi e jashtëzakonshme rikthimi në Vaqarr. Ky është këndi ynë i 43-të në 43 muaj punë në Bashkinë e Tiranës. Pas këndeve të lojërave në Krrabë, në Dajt, në Kashar, në Farkë, tani kemi edhe këndin e lojërave në Vaqarr, për t’u siguruar që fëmijët e Tiranës, pavarësisht ku jetojnë, në ish komuna apo në qendër të Bllokut, të kenë të njëjtin akses për një fëmijëri të shëndetshme”.
Por, investimet në zonën e Vaqarrit nuk ndalen këtu. Bashkia e Tiranës do të vijojë punën e nisur për rikonstruksionin shkollave në këtë zonë, mbjelljen e pemëve, ndërkohë që Liqeni i Vaqarrit po transformohet tërësisht, nga një vend grumbullim mbetjesh në një park të vizitueshëm.
“Do të vazhdojmë edhe me mbjelljet, edhe me rikonstruksionin e shkollave. Vaqarri ishte ai që vuante më shumë nga landfilli i vjetër i Sharrës; por landfilli i ri jo vetëm ka eliminuar mbetjet, helmet dhe djegiet që ndodhnin aty, ndërsa sot është kthyer në një park. Ndërkohë, po i rikthejmë fytyrën e vërtetë liqenit të Vaqarrit. Ka qenë një zonë pyjore, me pisha, e degraduar, e vjedhur, e prerë, e shkatërruar, sot po rimbillet”.
Ndërkaq, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar kanë nisur bisedimet për rindërtimin e rrugës kombëtare Tiranë – Ndroq-Plepa, që do t’i jepte kryeqytetit një hyrje të re, por njëkohësisht edhe një impuls të ri zhvillimit ekonomik të gjithë zonave ku kalon.
“Lajmi shumë i mirë që kemi me Blerinën sot është se edhe ministrja e re e Infrastrukturës, edhe drejtoresha e re e ARRSH-së, po shikojnë të gjitha mundësitë që të nxitet më shpejt financimi i rrugës Tiranë-Ndroq. Vërtet shumica e atyre që shkojnë në Durrës përdorin autostradën, por ama në këtë rrugë ka burime të jashtëzakonshme; bujtinat, agroturizmin, hapësirat e fermerëve dhe të familjeve që jetojnë me bujqësinë, janë në luginën e Erzenit. Ndaj, mezi pres që bashkë me qeverinë qendrore të punojmë rrugët kapitale dhe ata të nxitojnë me rikonstruksionin e rrugës Tiranë-Ndroq.





