Hoteli më i madh në rajon “Melia Durrës” hapi zyrtarisht dyert në “San Pietro Resort”, për të vendosur një standard të ri në sektorin e turizmit.

 

Finalizimi i një pune të nisur pesë vite më parë, e shoqëruar me sfidat e tërmetit e pandemisë gjatë rrugës, u konkretizua këtë të premte me një ceremoni inauguruese, në prezencën e atyre që u bënë bashkë për të sjellë këtë brand prestigjioz pjesë të bregdetit shqiptar, por edhe të shumë personaliteteve të tjerë të njohur.

 

Për CEO-n e grupit “Concord Investment”, Artan Dulaku projekti i realizuar flet vetë, pasi tashmë të gjithë turistët e huaj dhe vendas mund të gjejnë tek “Melia Durrës” akomodim cilësor të nivelit evropian. Por si lindi ideja për ta sjellë markën spanjolle “Melia” në Shqipëri?

 

ARTAN DULAKU

 

CEO I GRUPIT “CONCORD INVESTMENT”

 

“Bëmë një kërkim të tregut dhe na rezultoi që Melia është i pari në Spanjë për numrin e punimeve, numrin e shtretërve dhe shpërndarjen në tërë globin. Menduam që ishte e favorshme të bashkëpunonim me maksimumin e asaj që ofron arena evropiane. Në të gjithë procesin e ndërtimit ishte një bashkëpunim shumë i ngushtë mes ekipit tonë, EDIL AL dhe Concord dhe grupit të Melias. 

 

Ishte vizioni i lidershipit të Melia-s, që atëherë kur asnjë kompani e huaj nuk po investonte në Shqipëri, pa me largpamësi dhe vendosi të bëhet pjesë e tregut shqiptar.

 

Shqipëria është një destinacion për të gjithë tregun evropian dhe jemi munduar ti paraprijmë këtij zhvillimi. Deri në 2030 planet janë të dorëzojmë rreth 3 mijë çelësa, 3 mijë dhoma që do të ishte një përgjigje pozitive ndaj kërkesës në rritje të turizmit. Falenderoj ekipin e ndërtuesve, nënkontraktorë dhe kontraktorë të EDIL AL dhe Concord, grupin e Melia që në bashkëpunim me ne ndoqi hap pas hapi punën.”

 

 

I gjithë zhvillimi i vrullshëm që po njeh Shqipëria në vitet e fundit në turizëm tërhoqi edhe grupin spanjoll “Melia”, që ka në zotërim mbi 350 hotele në shumë shtete të botës, të vijë dhe të investojë në vendin tonë, në bashkëpunim me “Concord Investment”.

 

 

GABRIEL ESCARRER

 

CEO I MELIA INTERNATIONAL

 

“Mbaj mend herën e parë kur erdha në Shqipëri dhe ndamë idenë për këtë resort, për ngritjen e nje resorti të tillë të kësaj cilësie në vendin tonë. Pash pasionin tuaj që kishit për punën dhe për qëndrueshmërinë e projektit dhe bashkëpunimin mes njerëzve. Keni komplimentet e mia. Falenderoj familjen Dulaku që dha mundësinë edhe për kompaninë, edhe për vendin. Ne kemi qenë në këtë biznes për 68 vitet e fundit. Jemi një nga kompanitë më të listuara dhe një nga më të mëdhatë në Europë dhe botë. Melia është unike sepse që nga fillimi ofruam atë çfarë njerëzit kërkonin. Po bëjmë një punë shumë të mirë në një vend të mrekullueshëm siç është Shqipëria. Keni një vend shumë të bukur. Shqipëria ka një standard të lartë mikpritjeje dhe kjo është nje nga pikat më të kerkuara ne të tërë botën.”

 

 

“Melia Durrës” përmirëson dukshëm ofertën turistike të Shqipërisë, e cila pret që këtë vit, falë këtij investimi të niveleve ndërkombëtare, të tejkalojë shifrën rekord prej 7.5 milionë turistësh të huaj vitin e shkuar.

 

EDI RAMA

 

KRYEMINISTER

 

“Protagonisti kryesor që ka sjellë Melia në Shqipëri është Blendi Klosi që është i ftuar këtu si bashkëudhëtar i këtij projekti dhe që përkrah me Artanin dhe familjen Dulaku, kanë punuar për të ardhur në këtë ditë. Ky është një investim që flet vetë, ndalimi im i gjatë shkonte kur bëmë inaugurimin që nuk kishte asgjë këtu, përveç Artanit, Adit dhe një gruaje që kishte sjellë Melia këtu. Fjalimi i gjatë atëherë ishte për të mbajtur gjallë entuziazmin, por askush nuk e besonte veç nesh që këtu do të ndodhte ajo e treguar në 3D. Çfarë është ndërtuar, është edhe më e bukur nga çfarë është paraqitur në 3D.”

 

 

“Melia Durrës”, hoteli më i madh në rajon, ofron 475 dhoma për të gjithë turistët, ambiente relaksi, hapësira argëtuese për fëmijë e të rritur si edhe kuzhinë të shijeve të ndryshme, për të përjetuar një eksperiencë unike me pesë yje në bregdetin shqiptar.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *