Subscribe

Nga kjo e martë Tiranës i shtohen dy fusha të reja sportive, ku 1300 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” dhe komuniteti përreth mund të kalojnë pasditet.

 

Fushat e reja të futbollit dhe tenisit u inauguruan nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi ata që kontribuuan për shtimin e ambienteve sportive në kryeqytet.

 

“Nëse komuniteti kontribuon që fëmijët të kenë jo vetëm shkolla më të mira, por edhe më shumë mjedise sportive, ku të shoqërizohen, atëherë do të kemi edhe një qytet më të mirë. Më vjen mirë që marsi ka qenë vërtet një pranverë për Tiranën. Ky është këndi i 12 sportiv që hapet brenda një viti në shkollat e Tiranës apo në hapësirat rekreative të qytetit. Do të kalojmë më shumë kohë me sport dhe aktivitete fizik, më pak kohë nëpër kafe, nëpër bingo e baste. Megjithatë, dua që t’i ftoj të gjithë qytetarët, që kush ka mundësi të kontribuojë.” – deklaroi ai.

 

Kryebashkiaku Veliaj tha se synimi i Bashkisë së Tiranës është përmirësimi i mjediseve në shërbim të komunitetit.

 

“Këtë muaj kemi mbjellë me mijëra pemë, duke filluar nga Liqeni i Farkës, te Liqeni Artificial, te Bulevardi i Ri, te sheshi “Skënderbej”. Nëse kalojmë më shumë kohë me gjëra konkrete për fëmijët, siç janë këndet e lodrave, këndet sportive apo mbjelljet e gjelbërimet, dhe më pak kohë me fjalë, me sherre e përçarje, qyteti ecën përpara. Jam i bindur se të gjitha investimet në infrastrukturë nuk vlejnë asgjë në qoftë se nuk kemi kulturë dhe besoj se ky investim është më i rëndësishëm, ndoshta edhe se infrastruktura, sepse krijon një kulturë te djemtë dhe vajzat e qytetit si të luajnë në ekip, si të mësojnë të fitojnë, por edhe të humbasin.” – tha Veliaj

 

Veliaj premtoi se shume shpejt do të nisë edhe rikonstruksioni i plotë i shkollës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *