Subscribe

Tre efektivë të Komisariatit të Kavajës u arrestuan në flagrancë për rastin e vetëvrasjes së 31-vjeçarit Ilvi Meta një ditë më parë, në dhomën e paraburgimnit.

 

Nën akuze për “shpërdorim detyre” jane venë inspektorët Bexhet Berberi dhe Rushit Kola si dhe nënkomisar Petrit Berhamaj.

 

Por Agjencia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.

 

Ilvi Meta ishte arrestuar për vjedhjen e një banese në datën 2 prill, por ndërsa ndodhej në dhomën e paraburgimit, ai sipas policisë, ka varur veten me lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur.

 

Ngjarja ngriti dyshime të shumta, pasi personave të ndaluar në këto kushte nuk iu lejohet të mbajnë lidhëse, apo sende të tjera që mund të përdoren për akte të tilla.

 

Akuza ngriti edhe babai i viktimës, Agim Meta, i cili deklaroi se djali i tij nuk kishte kryer vetëvrasje. Por mjekët ligjorë bënë të ditur se viktima nuk kishte shenja dhune në trup.

 

Ilvi Meta ishte një emër i njohur për policinë e Kavajës, pasi ishte arrestuar dhe herë të tjera për vjedhje.

 

Kjo është ngjarja e dytë tronditëse brenda ambienteve të komisariateve. Pak kohë më parë, një 26-vjeçar i vuri flakën qelisë në dhomat e paraburgimit në Kamëz, e për pasojë humbi jetën, ndërsa 2 të tjerë mes tyre dhe një polic u plagosën.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *