Ilir Rrapaj biznesmeni që ka fituar koncesionin e sterilizimit doli sot nga burgu për të dëshmuar në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi. Para deputetëve biznesmeni ka treguar se nuk ka pasur njohje personale me kryeministrin Edi Rama, Ilir Beqajn dhe Klodian Rrjepaj të cilët në momentin kur është dhënë koncesioni kanë mbajtur detyrën e ministrit dhe zv.ministrit të shëndetësisë. Në lidhje me ish-zv.ministrin Rrjepaj sipërmarrësi ka sqaruar se e ka njohur në momentin kur janë arrestuar në gushtin e vitit të kaluar.
“Deri në gusht 2023 kisha dijeni se kush ishte dhe çfarë ishte. Tani kam 15 muaj që ndaj të njëjtën rezidencë. E tani mund të them që edhe e njoh. Nuk kam pasur asnjë lloj miqësie e asnjë lloj njohe”, tha Rrapaj.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipërmarrësi ka sqaruar se të dhënat që tregojnë se ai ka qenë në të njëjtin avion në të njëjtat data me ish-ministrin Beqaj e ish Zv.Ministrin Rrjepaj si të rastësishme. Nga ana tjetër Ilir Rrapaj ka sqaruar edhe pse makina e ish-zv.ministrit Rrjepaj është përdorur nga ai.
Vokshi: Keni udhëtuar disa herë bashkë, madje edhe makinën shtetërore të zv.ministrit, udhëtime jashtë vendit. Pse thatë që nuk i njihni?
Rrjepaj: Ishin zyrtare. Universiteti i Peruxhias kërkoi takim me Universitetin e Kosovës. Nuk rezulton të jem i vetëm. Kam qenë në funksion të udhëtimeve zyrtare Rajoni i Umbrias është pjesë e këtij akordi kuadër, por edhe Universiteti i Peruxhas. Udhëtimi në Kosovës ka qenë i programuar për tu takuar me rektorin e universitetin e Prishtinës. Po i referohem makinës së zv.ministrit. Ministria e Shëndetësisë u tregua xhentile dhe na dha makinën për të shkuar në Kosovë.
Gjate dëshmisë në komision opozita ka ngritur pikëpyetje pse Ilir Rrapaj një sipërmarrës pa ekperiencë në fushën e shëndetësisë mori 40% të aksioneve në kompaninë që fitoi koncesionin e sterilizimit.
Vokshi: Pse ju morët 40 % dhe kompani të mëdha si Service Italia, mori vetëm 30%. Çfarë kontributi kishit ju?
Rrapaj: Isha distributor ekskluziv për dekontamiminim në Shqipëri. Menduan ortakët që ishte e logjikshme për të kompensuar teknologjinë.
Vokshi: Jua dhanë paraprakisht 40%?
Rrapaj: Ata do të kishin pjesën e luanit në furnizimit të vazhdueshëm, do të kishin fitim më të lartë dhe të garantuar. Aparaturat e mia kanë vlerë modeste, dhe për një marrëveshje të ndershme më dhanë 40% të dividentit.
Në gushtin e vitit 2023 SPAK-u arrestoi ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, në lidhje me koncesionin e sterilizimit. Ky koncesion 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë euro iu dha kompanisë SaniService, një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij Investital LLC është zotëruesi kryesor i aksioneve. /vizionplus.tv







