Pas ikjes së Leoanardos, Milani kishte menduar që t’i besonte Igli Tares drejtimin sportiv të klubit. Mirëpo drejtori i Lacios preferoi të mos lëvizte nga aty ku ishte. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare është kthyer edhe një herë tek refuzimi që i bëri propozimit të Maldinit dhe Bobanit: “Zvonen e njoh, ka qenë një idhull për mua. Kurse Maldini është ekzemplar si lojtar dhe drejtues. E ndijeva direkt atë akt dashurie që kanë bërë duke u afruar në krye të Milanit. Por edhe unë bëra një zgjedhje dashurie. Po të largohesha do të kishte qenë e gabuar. Zgjodha me zemër, jo për para’”, shpjegoi Tare. Gjithashtu ai nuk e fshehu ndjenjën e tij për ambientin bardhekaltër, kur u shpreh: “Nëpër Europë e kuptoj se Lacio është ende një emër i rëndësishëm. Do të mendohem mirë, përpara se të largohem nga këtu. Di që kam krijuar dicka të bukur bashkë me klubin, stafin teknik dhe lojtarët. Në 10 ditët e fundit jemi rritur shumë, megjithëse duam që sa më shpejt të kemi mundësinë për të luajtur në Champions League!”.

 

Aq i bindur është në atë që ka ndërtuar, sa që nuk e përjashton as objektivin-titull. Jo më kot, në kontratat e trajnerit Simone Inzagi dhe të gjithë futbollistëve, është përfshirë edhe një premio për fitimin e kampionatit. Diçka të tillë, Tare e shpjegon duke thënë se e ka bërë vetëm për të stimuluar ambientin që të ketë ambicje sado të vogël, për arritje të mëdha. Ashtu siç është gatuar edhe vetë Igli si njeri./ TRING

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *