Pas sulmit që goditi Londrën në zemër të saj, policia ka identifikuar dy nga tre terroristët e ekzekutuar. Ata janë Khuram But, 27 vjeç dhe Rachid Redouane, 30 vjeç. But, i lindur në Pakistan ishte i martuar, me dy fëmijë dhe jetonte prej vitesh në lindje të Londrës. Ai ishte një emër i njohur për policinë, por nuk ka pasur të dhëna se po përgatiste ndonjë sulm. But ishte filmuar gjatë një dokumentari për xhihadistët britanike, duke u grindur me policët, pasi kishte shpalosur nje flamur të shtetit islamik.
Ndërsa agresori i dytë, që punonte në një ëmbëltore, ka prejardhje marokeno-libiane. Tashmë pritet edhe identifikimi i autorit të tretë të sulmit, që u mori jetën 7 personave dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Deri tani nën arrest janë 6 gra dhe katër burra, të cilët po merren në pyetje nga policia.
Bilanci i viktimave të sulmit mund të kishte qenë më i madh, por tre- ish ushtarakë shqiptarë falë ndërhyrjes së tyre kane shpëtuar 130 persona. Ata janë shndërruar në heronjtë e Londrës. Mark Stembridge, pronar i një restoranti rrëfeu momentet e sulmit.
“Fatmirësisht, një pjesë e stafit tim janë ish-ushtarakë dhe u treguan shumë te qetë në këtë situatë. Kishim 130 vetë në tarracë dhe i larguam të gjithë, që të ishin të sigurtë. Tre personat që afroheshin nisën të thërrisnin, por e panë që ishim disi të organizuar dhe u larguan. Ata zbritën poshtë urës për të gjetur një tjetër vend”.
Autoritetet britanike ndërkaq, po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse agresorët ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë.