Eksploziv banesës së policit në Shkodër, shpërthimi shkakton vetëm dëme materiale
Një shpërthim tritoli ndodhi në banesën e një oficeri policie në Shkodër. Lënda plasëse u aktivizua pak pas orës 3 të mëngjesit, në derën kryesore të shtëpisë private të oficerit të krimeve Vilson Zhuri.
Nga shpërthimi fatmirësisht pati vetëm dëme materiale. Kamerat e sigurisë kanë filmuar të plotë momentin, kur dy persona të maskuar me skafandra janë afruar me një motor dhe pasi vendosën tritolin pranë hyrjes, janë larguar me shpejtësi.
Ngjarja ka tronditur oficerin e policisë dhe familjarët e tij që menjëherë kanë dalë jashtë banesës.
Në deklarimet e para, efektivi Zhuri mohoi të ketë konflikte. Sipas tij, ngjarja mund të ketë ardhur për shkak të detyrës, pasi prej dy vitesh ai punon si oficer krimesh në zonën e Pultit në Dukagjin, shumë e njohur për kultivimin e kanabisit.
Ditët e fundit, gjatë operacionit “Territor i pastër” në pyjet e këtij fshati janë zbuluar dhe asgjësuar mijëra bimë narkotike.
Hetuesit besojnë se sulmi me tritol mund të jetë një paralajmërim i trafikantëve të drogës për oficerin e krimeve që mbulon zonën ku ata kultivojnë kanabisin. /vizionplus.tv




