Nga Elda Canaj
Ishte 16 vjeç, kur Kujtim Hysensani, me profesion fizioterapist, humbi plotësisht shikimin. Megjithatë, kjo nuk ishte një betejë për të, por forcë, që pavarësisht vështirësive, vazhdoi të jetojë një jetë si të tjerët. Në një intervistë për Vizion Plus, Kujtimi rrëfen historinë e tij.
“Kam lindur me shikim të reduktuar, pastaj ditë pas dite më ka ardhur rënia e shikimit, nuk ka qenë një ditë apo një datë e caktuar. Deri në moshën 16-17 vjeçe unë shkruaja dhe lexoja me vështirësi, pastaj fillova të kem rënie të vazhdueshme të shikimit, derisa tani jam thuajse zero. Vështirësitë i kam pasur që në fillim, i kam pasur diferencat me moshatarët që në fillim.”
Sot Kujtimi është 45 vjeç, ka përfunduar studimet për fizioterapi dhe prej më shumë se 13 vitesh ai punon pranë Qendrës Kombëtare Multidisiplinare në Tiranë, duke i ardhur në ndihmë fëmijëve dhe të rriturve me nevoja të veçanta.
“Për ne është shumë e rëndësishme të kemi një punë, një profesion. Kjo na bën më të integruar me shoqërinë. Ne e vuajmë shumë faktin që jemi invalidë të pavlerë dhe kur kemi një profesion, ne jemi goxha të përmbushur. Unë kam rreth 13 vjet tek kjo qendër kombëtare multidisiplinare. Kjo ka tre target grupe që ne i ndihmojmë: fëmijët në situatë rruge, moshën e tretë dhe fëmijët me nevoja të veçanta etj. 8 orë që jam këtu, pasdite shkoj edhe nëpër pacientë.”
Ndërsa punën e tij e bën me shumë pasion, ai nuk ngurron të japë edhe një mesazh për fëmijët, të cilët shpesh për shkak të qëndrimit të gjatë para pajisjeve elektronike, përballen me probleme fizike.
“Jap një mesazh, kryesisht për fëmijët sot, sepse po bëjnë kaq pak aktivitet fizik krahasuar me atë që bënim ne. Duhet të kenë kujdes t’i trajtojnë në kushte shtëpie apo fizioterapie dhe jo të mbushin ilaçet.”
Historia e Kujtim Hysensanit është dëshmi se forca e njeriut nuk matet me pengesat që përballon, por me mënyrën si zgjedh t’i kapërcejë ato. Për të, humbja e shikimit nuk është një disfatë, por një arsye më shumë për të jetuar.
/vizionplus.tv





