I shpallur në kërkim për mashtrim me mikrokreditë, Olsi Ibro i jep fund jetës
Olsi Ibro, i cili ishte i shpallur në kërkim pasi u zbardh skema e mashtrimit që dy shoqëritë Microcredit Albania dhe Final kishin krijuar për të zhvatur kredimarrësit, kreu vetëvrasje.
Policia njoftoi se 45-vjeçari u hodh nga tarracat një pallati në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë. Ai gjeti vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e kësaj të shtune nga roja. Olsi Ibro dyshohet se është futur gjatë natës në pallat dhe më pas është vetëhedhur.
Në vendin e ngjarjes hetuesit kanë gjetur disa kokrra fotoksinë, por do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë nëse i ka konsumuar apo jo.
Olsi Ibro e vrau veten një ditë pasi Prokuroria e Tiranës sekuestroi fondet dhe asetet e dy subjekteve Microcredit Albania dhe Final.
Bashkëshortja e tij, Elda Ibro, administronte shoqërinë MicroCredit Albania. Pas zbulimit të skandalit, ajo u vendos në masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, vetë Olsi Ibro drejtonte studion ligjore ADCA, me të cilën bashkëpunonte Microcredit Albania për të vjelë kreditë e qytetarëve që kishin probleme me shlyerjen e tyre.
Skema e mashtrimit të kredimarrësve u zbardh në maj pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës, që lëshoi 9 masa arresti për administratorët e subjekteve financiare dhe përmbaruesit.
Të akuzuar për zhvatjen e qytetarëve, në burg ndodhen Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, ndërsa në arrest shtëpie janë Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi dhe Kejda Seferi. /vizionplus.tv




