I shpallur në kërkim nga SPAK, media britanike: Kriminelët shqiptarë sfidojnë ekstradimin, jetojnë të lirë rrugëve të Londrës

Gazeta britanike Daily Mail ka zbuluar dy raste të bujshme të shtetasve shqiptarë të përfshirë në krim të organizuar, të cilët po luftojnë ekstradimin nga Mbretëria e Bashkuar, duke vënë në pah dështimet e sistemit britanik të drejtësisë dhe imigracionit.
Alban Gjidiaj, 28 vjeç, kërkohet nga SPAK në Shqipëri për trafikim armësh drejt bandave në Britani. Ai u arrestua në Londër, por u la i lirë me kusht pasi pagoi një garanci prej £5,000, pavarësisht akuzave serioze që mund t’i sjellin deri në 17 vite burg. Daily Mail publikoi foto të tij duke drejtuar një Mercedes luksoz në rrugët e Londrës. Ai do të dalë në gjyq për ekstradim më 4 dhjetor 2025 dhe ka deklaruar se do të luftojë dorëzimin e tij.
Ndërkohë, Mikel Hoxha, 33 vjeç, i dënuar në mungesë për tentativë vrasjeje në Shqipëri, arriti të fshihej në Britani për pesë vjet, duke paraqitur kërkesë për azil. Ai u arrestua vetëm në vitin 2023 në Cardiff, ndërkohë që kishte krijuar një familje dhe ishte në proces apelimi për refuzimin e azilit. Avokatët e tij po përdorin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të shmangur ekstradimin, duke pretenduar se do të cenohej jeta familjare e tij.
Të dy rastet kanë ngjallur reagime të forta publike dhe kritika ndaj Ministrisë së Brendshme britanike për mungesë transparence dhe lëshime të rënda në kontrollin e kriminelëve të huaj. Aktualisht, 14 shqiptarë të tjerë janë në pritje të ekstradimit në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, sipas Daily Mail.
/vizionplus.tv




