Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare është arrestuar në Barcelonë dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë. Policia njofton se 33-vjeçari rezultonte i shpallur në kërkim pas një operacioni, ku u zbulua një arsenal armësh dhe u sekuestruan rreth 89 mijë euro që vinin nga tregtia e armëve.

 

 

“Më datë 07.12.2021, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, në banesën e këtij shtetasi dhe në banesën e të afërmve të bashkëshortes së tij (prindërit dhe vëllai i bashkëshortes, të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij megaoperacioni), shërbimet e Policisë së Lezhës gjetën dhe sekuestruan 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.

 

Shtetasi E. V. alias E. M. iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftim.

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *