Për pak mund të ishte shënuar një tragjedi, por 3 të rinj në Shkodër, i kanë shpëtuar mrekullisht plumbave që vërshonin në drejtim të tyre.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnate në lagjen “Partizani”, ku ndërsa ndodheshin në rrugë duke biseduar, 83-vjeçari Fasli Hyka, i armatosur, i qëlloi nga ballkoni i katit të pestë ku jeton.
Lexo edhe :
Related Posts
Plumbat fatmirësisht nuk plagosën asnjërin prej tre të rinjve ndërsa u dëmtua një automjet i parkuar.
Me të marrë sinjalizimin në vendngjarje mbërritën 50 efektivë policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.
I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë duke i kërkuar ndihmë pasi sipas tij jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin.
Pas pak minutash mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve. Efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohet, por 83-vjeçari Fasli Hyka nuk pranoi. Ai refuzoi edhe thirrjet e të birit për dorëzim.
Në këto kushte forcat e FNSH ndërhynë duke e finalizuar me sukses operacionin i cili zgjati për afro 3 orë e 30 minuta.
Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetit mendor, ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera si dhe ka humbur shikimin te njëri sy.
Fqinjët dhe tregtarët në Rus e njohin 83-vjeçarin si një person problematik, i cili edhe herë të tjera i ka kërcënuar.
Në momentin kur Fasli Hykaj qëlloi në banesë gjendej edhe bashkëshortja e tij e moshuar. /vizionplus.tv