“I keni kaluar pritshmëritë”/ Veliu mesazh falenderues policëve: Jam krenar për ju!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka falenderuar punonjësit e policisë për përkushtimin dhe punën e tyre në këto ditë të vështira për përballimin e situatës së shkaktuar në vend nga pandemia.
Përmes një video-mesazhi, Veliu shkruan se ndihet krenar që po tregojnë vlerat e Policisë së Shtetit në këto ditë vendimtare.
“Të nderuar kolegë të Policisë së Shtetit. Në këtë periudhë mjaft të vështirë dhe krejtësisht të pazakontë në kujtesën e brezave tanë, po ju drejtohem me këtë mesazh për t’ju shprehur publikisht falënderimet e mia për punën e mrekullueshme që po bëni, si në përmbushjen e detyrave tuaja funksionale, ashtu edhe në ndihmesën e dhënë ndaj qytetarëve e shtresave në nevojë. Zgjodha këtë formë mesazhi, pasi nuk kam mënyrë tjetër t’i drejtohem secilit personalisht për t’i shprehur mirënjohjen time dhe të gjithë organizatës së Policisë, për sakrificat dhe përkushtimin e treguar në këto ditë, sa të trazuara, aq edhe të rrezikshme, për të gjithë ju, për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi.”
Veliu tha se organizata e policisë po përballet me një rrezik të padukshëm, deri në fatal për jetën njerëzore.
“Ne po përballojmë, sot, qoftë si organizatë policie, qoftë si qytetarë, një rrezik të padukshëm, deri edhe fatal, për jetën njerëzore, gjë që tregon shkallën e vështirësisë që duhet të përballoni. Por pavarësisht sfidave dhe rrezikut të përhershëm që keni përballë, ju ia keni dalë të kryeni me përkushtim çdo detyrë të ngarkuar, si për rendin e sigurinë, ashtu edhe në përkrahjen e shtresave apo individëve në nevojë. Si Drejtor i Përgjithshëm, ju kërkoj ta përballoni këtë luftë me atë shpirt grupi që keni treguar, me ndjenjën më të lartë të përgjegjshmërisë dhe me vetëdijen se po i jepni një shërbim tejet të vyer kombit e atdheut.”
Në mbyllje të mesazhit, Ardi Veliu uroi që kjo gjendje të përfundojë sa më parë.
“Ndiej detyrimin dhe njëherësh kam nderin t’ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për gjithë sa keni bërë dhe për sa do të bëni, deri në mposhtjen e këtij rreziku që i kanoset të gjithë njerëzimit. Në mbyllje, dua të shpreh një urim për të gjithë ju, për gjithë qytetarët, që kjo pandemi të zhduket sa më parë, në mënyrë që të kemi mundësi të shohim e t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të themi faleminderit për gjithë sa keni bërë e vijoni të bëni”.




