Subscribe

Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se është i hapur për çdo hetim në lidhje me protestën e 21 janarit të vitit 2011, ku mbeten të vrarë 4 qytetarë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Sali Berisha, i cili në atë kohë ishte kryeministër sqaroi se nuk e ka lexuar vendimin e gjykatës së Strasburgut për çështjen e Aleks Nikës, por mbetet i hapur për zbardhjen e ngjarjes.

 

SALI BERISHA

 

“Nuk e kam lexuar, por siç e di ti nu ka ka patur dhe nuk mund të ketë kurrë pengesë hetimi nga Sali Berisha. Kjo është komenti që bëj për çdo gjë. Se si është bërë hetimi, dosjet janë aty, vlerësimin që ka bërë gjykata, nuk kam asnjë kundërshtim.”

 

Ndërkaq opozita ka vendosur të vazhdojë protestën e saj në parlament për të drejtat që ia garanton Kushtetuta. Deri me tani deputetët demokratë ia kanë dalë të bllokojnë mbledhjet fizike të komisionit, por diskutimi e miratimi i ligjeve ka vazhduar online nga mazhoranca.

 

“Më vjen keq, fakti që janë futur në klandestinitet, është efekti më i fuqishëm i protestës opozitare.

 

Kur asgjësohet parlamenti dhe shndërrohet në fiktiv, shndërrohet në dixhital, do të thotë që opozita ka korrur fitoren më të madhe.

 

Do të thotë që Edi Rama ka dëshmuar se parlamentin është i aftë ta shumëzojë me zero.”

 

Protesta e opozitës nisi pasi mazhoranca rrëzoi kërkesat e saj për ngritjen e komisioneve hetimore dhe rrëzimit të kërkesës së PD për të ndryshuar anëtarët që i përkasin asaj në komisionin e reformës zgjedhore.

 

“E drejta e opozitës për të çuar para reformën zgjedhore nuk zgjidhet duke u fshehur pas mbledhjes online apo shtimit të forcave të gardës. Do bllokojmë punën 2-ditore të parlamentit për diskutimin e buxhetit të vitit 2024”

 

Këtë javë nuk ka mbledhje të parlamentit, por të hënën do të shqyrtohet ligji financiar më i rëndësishëm i vitit, buxheti, dhe mbetet për tu parë se çfarë strategjie do të zgjedhë PD për të bllokuar diskutimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *