Subscribe

Arrestohet i shumëkërkuari Leonard Duka. Pas tre vitesh në arrati ai është kapur në Belgjikë, pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si një nga autorët e vrasjes se ish-efektivit Santiago Malko. Sipas policisë, 37-vjeçari është prangosur në periferi të Brukselit, në një banesë private ku fshihej prej disa kohësh.

 

Leonard Duka është shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar masën arrest me burg për ‘vrasje me paramendim’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’ të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

 

Duka dyshohet se është një nga autorët e ekzekutimit të Santiago Malkos, mik i ngushtë i Ervis Martianjt, vrasje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. Drejt makinës së 26-vjeçarit u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër makinë në lëvizje.

 

Leonard Duka është një nga armiqtë e mbretit të lojërave të fatit Ervis Martinaj. Grupet rivale shpesh herë janë përplasur mes tyre, duke shënuar edhe viktima.

Një nga të vrarët e parë të rivalitetit mes dy bandave ishte pikërisht Santiago Malko. Por edhe pas atentatit me tre viktima në Fushë-Krujë dyshohet se qëndrojnë pikërisht anëtarët e grupi të Dukeve.

 

Ky grup madje shpesh herë ka tentuar edhe eliminimin e Ervis Martinajt, por pa sukses. Aktualisht ky i fundit rezulton i zhdukur dhe janë dy pista nën hetim. E para është ajo e inskenimit ku dyshohet se Martinaj është gjallë, por i tërhequr nga bota e krimit, dhe pista tjetër është ajo që mund të jetë vrarë nga klani i Dukeve.

 

Për vrasjen e Malkos deri më tani është dënuar vetëm Blendi Teta, konkretisht me 25 vite burg. Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë vëllai i Leonard Dukës, Erlis Duka, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

 

Referuar dosjes së hetimit mësohet se ekzekutori dyshohet të jetë Fatmir Hyseni e ndërsa vëllezërit Duka kanë patur rolin e organizatorëve. Pala shqiptare po punon për ekstradimin e 37-vjeçarit në Shqipëri, në mënyrë që të përballen me drejtësinë për krimet e kryera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *