E shtunë, 26 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:10 Në vijim ora 14:10: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

I dha logon e PD-së Berishës, Apeli zbardh vendimin: Basha 5 ditë kohë për ta ankimuar

Me vendim të Gjykatës së Apelit, logoja e Partisë Demokratike i kaloi ditën e sotme Rithemelimit, grupit të PD të udhëhequr nga Sali Berisha.

Në vendimin e Gjyaktës së Apelit thuhet se kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs brenda 5 ditëve.

Vendimi i apelit është i formës së prerë dhe pavarësisht se betejat gjyqësore brenda PD mund të vazhdojnë; ka pak gjasa që deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ketë një vendim të ndryshëm gjyqësor.

Gjykata duhet të ç’regjistrojë Lulzim Bashën dhe të vendosë në regjistrin e partive politike, Sali Berishën si kryetar të PD.

Nga ky moment selia e PD në Tiranë dhe ato në rrethe i përkasin Sali Berishës, fondet që shteti i jep PD e që deri dje i ka marrë Lulzim Basha i kalojnë Berishës; komisionarët e  numëruesit në zgjedhje i takojnë Sali Berishës dhe po ai do të ketë emrin në fletën e votimit si kryetar i Partisë Demokratike.

Vendimi i plotë i Gjykatës së Apelit 

Në vijim të informacioneve të dhëna më herët dhe në respekt të së drejtës së publikut për t’u informuar mbi çështjet me interes publik dhe posaçërisht proceset mbi kërkesat për regjistrim në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë, ju njoftojmë si më poshtë:

Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ka ushtruar rekurs ndaj vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ka kërkuar:

-Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm.

-Deklarimin si të papranueshëm të ankimit paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

-Lënien në fuqi të vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 786, datë 27.12.2023 ka vendosur:

Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.

Në datë 11.06.2024 gjatë rigjykimit të çështjes në gjykatën e apelit, përfaqësuesi me autorizim av.Ivi Kaso i  Partisë Demokratike të Shqipërisë, “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” kërkoi:

– “Mospranimin e ankimit të ushtruar ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.

Përfaqësuesit ligjor av. Indrit Sefa dhe av. Rezart Kthupi, të Partisë Demokratike të Shqipërisë e  përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, kërkoi:

“Prishjen e Vendimit me nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur: Pushimin e gjykimit, pasi nuk legjitimohen”.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 11.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Alma Ahmeti dhe anëtare znj. Elona Toro dhe znj. Iliba Bezati, vendosi:

 -Mospranimin e ankimit të ushtruar kundër vendimit Nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

-Kundër këtij vendimit mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit.

-Vendimi i arsyetuar do t’i komunikohet palëve./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh