Hungaria konfirmoi se do të marrë në konsideratë aplikimin e ish-kryeministrit të arratisur maqedonas, Nikola Gruevski për azil, i cili ka dominuar skenën politike në Maqedoni për afro një dekadë deri në vitin 2016.

 

Kjo është një lëvizje që do të  irritojë Shkupin, që nga ana e tij ka lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar për ndalimin e ish-kryeministrit, pasi ai nuk u paraqit përpara autoriteteve të drejtësisë për të vuajtur dënimin me dy vite heqje lirie.

 

Zyra e kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se Gruevski “kishte dorëzuar kërkesën për azil” dhe se kishte deklaruar se synon “të dorëzojë edhe një kërkesë për statusin e refugjatit në Hungari”.

 

“Duke qenë se ai ka qenë kryeministër i vendit të tij për 10 vite, për shkaqe sigurie, autoritetet hungareze kanë lejuar zotin Gruevski të dorëzojë kërkesën për azil dhe të dëgjohet në selinë e Zyrës së Emigracionit dhe Azilkërkimit në Budapest”.

 

Budapesti zyrtar refuzoi të zbulonte detaje mbi vendndodhjen e Gruevskit, apo sesi ky shtetas maqedonas, të cilit i është hequr pasaporta, hyri në Hungari.

 

Konfirmimi vjen një ditë pasi Gruevski tha se ishte larguar për në kryeqytetin hungarez. “Jam në Budapest tashmë, ku kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze”, shkroi 48-vjeçari në faqen e tij në Facebook. Shkupi i ka bërë thirrje Budapestit të mos ia plotësojë atij kërkesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *