Hungaria shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë një vizite zyrtare në Budapest, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori vlerësime nga homologu i tij, i cili theksoi se qasja ndaj Shqipërisë është e ndryshme nga qëndrimet e Hungarisë për vendet e tjera që synojnë unionin.
“Hungaria vazhdon të mbështesë, në kuptimin e plotë të fjalës, integrimin e Shqipërisë pasi është i merituar dhe jo i bazuar në arsye politike apo ideologjike si në rastin e Ukrainës, të cilin Hungaria kurrsesi nuk e mbështet. Për të dyja palët, përmbushja e objektivave të NATO-s dhe ndarja e përvojave janë thelbësore dhe u konfirmuan edhe në takimin dypalësh”, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, ministri i mbrojtjes së Hungarisë
Ministri Vengu shprehu mirënjohje për ndihmën operacionale të dhënë nga Hungaria në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht gjatë sezonit të kaluar të zjarreve.
“Shqipëria është një vend që ka mirëpritur investime të rëndësishme dhe kompani të ekselencës hungareze. Dhe ky element tashmë është edhe shtyllë e bashkëpunimit që ne synojmë ta zhvillojmë në rrafshin ushtarak. Jemi mirënjohës për ndihmesën në rrafshin operacional të emergjencave civile, ndihmën që ka dhënë Hungaria përgjatë zjarreve që mbuluan Mesdheun në sezonin e kaluar dhe, posaçërisht, Mesdheun lindor”, Pirro Vengu – ministri i mbrojtjes së Shqipërisë.
Gjatë vizitës në Budapest, u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve: njëra për intensifikimin e bashkëpunimit në mbrojtje në nivel civil dhe tjetra mes institucioneve përgjegjëse për inovacionin në mbrojtje, me synimin për të përfituar më shumë financime nga programet europiane.
/vizionplus.tv





