Subscribe

Humbja në zgjedhjet e 14 majit duket se nuk do të ndryshojë asgjë në grupimet e krijuara brenda Partisë Demokratike dhe përçarjen brenda saj.

Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha besojnë se zgjedhjet e së dielës u manipuluan nga qeveria Rama nëpërmjet bandave, parave dhe presionit, ndaj ata mbështesin Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.

 

EDI PALOKA

KRYETAR I KESHILLIT KOMBETAR

 

“Asnjë hap nuk ka pse të bëjë pas zoti Berisha, sepse këtë e kërkon Edi Rama. I gjithë synimi i atyre që bëjnë gjithë këtë luftë tani të iki Berisha është që ta lemë PD të shkalafitet fare, sepse gjithë loja që ka bërë Edi Rama me Alibeun e të tjerët kjo ka qenë që të bëjë një opozitë që të jetë sa më e pafuqishme përballë kësaj makinerie manipuluese të kësaj qeverie. Ju thoni hajt ti japim dhe një dorë Ramës, t ia plotësojmë edhe këtë dëshirë Ramës e pastaj të ikim të gjithë nga ne të parët të punojmë në emigrim.”

 

Lideri i opozitës Sali Berisha fitoi vetëm 7 bashki, por me shume se 500 mijë qytetarë vendosën t’i besonin me votë dhe në këtë situatë duket se Sali Berisha do të shkojë drejt votëbesimit pa asnjë problem.

 

Në kampin e demokratëve që mbajnë logon e PD, situata duket më kaotike. Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga dy funksionet që mbante; postin e kryetarit të PD dhe postin kryetarit të grupit. Sipas statutit, drejtimin e merr nënkryetarja e vetme që ka mbetur Jorida Tabaku, e cila ende nuk e ka vendosur nëse do ta pranojë apo jo këtë post. Por Tabaku sot bëri apel që PD duhet të lexojë votën e shqiptarëve dhe të ndryshojë.

 

JORIDA TABAKU

DEPUTETE, PD

“Nuk mund të jemi ne refuzimi i shqiptarëve, sepse këto zgjedhje këtë treguan, shqiptarët nuk shkuan të votojnë. Ne duhet të jemi alternative e shqiptarëve dhe jam e sigurt se ne jemi të aftë për këtë.”

 

Por Ervin Salianji, i cili mban detyrën e nënkryetarit të grupit akuzoi një pjesë të grupit që mban logon e PD se jo vetëm që nuk punoi në zgjedhje, por po përpiqet të fragmentarizojë PD, duke nisur betejën për poste,

 

“Brenda ditës do ta kuptoni që ka përpjekje që secili të bëhet kryetar; njëri të marrë një rrogë në parti, njëri të marrë një rrogë në parlament.”

 

Për postin e kreut të grupit kandidatura më e mundshme duket Gazment Bardhi, ndërkohë që mbetet pikëpyetja se si zgjidhet çështja e drejtuesit të partisë. Vetë Alibeaj foli për drejtim kolegjial të PD, por si kundërpërgjigje  Gazment Bardhi propozoi Jorida Tabakun si drejtuese të PD. Anëtarë të kryesisë që mbështesin Alibeajn  kërkuan largimin e Gazment Bardhit e Jorida Tabakut si përgjegjës që PD doli forcë e tretë. Të gjithë këto zëra e rryma do të përplasen nesër në mesditë në mbledhjen e kryesisë, ku do të vendoset se çfarë do të bëjë grupimi që mban logon.

 

Por ajo çka duket qartë deri në këto moment është se bashkimi i PD duket gjithnjë e më i pamundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *