Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas publikimit të lajmit në media për bllokimin e pasaportave shqiptare në Kakavijë dhe humbjen e 100 prej këtyre pasaportave në Greqi.

 

MPJ përmes një deklarate për mediat ka deklaruar se me datë 13 shkurt, pasaportat e prodhuara nga kompania ALEAT po transportoheshin drejt Greqisë të ambalazhuara jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike.

 

Nisur nga ky fakt autoritetet doganore greke, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, kryen verifikimin e rastit dhe bllokuan pakon me të cilën transportoheshin pasaportat.

 

“Theksojmë se ngarkesa ka qenë e shoqëruar me një dokumentacion autorizues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me anë të të cilit autorizohej një punonjëse e Kompanisë “Top Lines” të dorëzonte aplikimet dhe të tërhiqte pasaportat dhe kartat ID pranë Kompanisë ALEAT, për llogari të Ambasadës sonë në Athinë.

Dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët kanë proceduar me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë​ në Athinë.

Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua.

Gjendur para një fakti të tillë, janë njoftuar autoritetet policore vendase dhe janë kryer të gjitha procedurat e rastit nga ana e tyre:Kqyrja e ambientit dhe makinës;Marrja e shenjave të gishtërinjve; Deklarimi dhe denoncimi për incidentin, bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, z. Pervin Gjikuria në ambientet e policisë.”

 

Menjëherë pas kësaj ngjarje Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u angazhua për të marrë masa të menjëhershme parandaluese për evitimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

 

Ndërkohë ministria e Brendshme në bashkëpunim me kompaninë ALEAT, kanë marrë masat për nxjerrjen jashtë përdorimi  dhe shpalljen e pavlefshme të këtyre pasaportave, si dhe angazhimin për të përshpejtuar procedurat e riprodhimit dhe zëvendësimin e tyre.

 

Gjithashtu në deklaratën e saj për mediat Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka udhëzuar të gjitha instancat e nevojshme që qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar të ri-aplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja të bëhet me urgjencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *