Subscribe

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee tha se SHBA pret qe qeveria e re në Shqipëri të vazhdojë punën me reformat. Në intervistën dhënë për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë theksoi drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të narkotikëve.

 

“Ne jemi shumë të kënaqur që populli shqiptar mori pjesë në zgjedhje që komuniteti ndërkombëtar i konsideroi në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jemi të kënaqur të shohim shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, për të marrë pjesë në një proces demokratik të rëndësishëm. Sigurisht ne tani presim me padurim fazën e ardhshme, një qeveri të re që ne shpresojmë që të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur punën me reformat, veçanërisht reformën në drejtësi që do t’i jape mundësi vendit të shënojë edhe më shumë përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, drejt rritjes së mirëqenies dhe forcimit të ekonomisë dhe marrëdhënie më të forta me partnerët e Shqipërisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

 

I pyetur mbi bashkëpunimin mes shumicës dhe opozitës pas zgjedhjeve, Yee tha se palët duhet të punojnë me njëra tjetrën.

 

“Duam që palët të punojnë më shumë për të luftuar korrupsionin, të çrrënjosin korrupsionin mes zyrtarëve, të luftojnë më fort kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, të gjitha këto ne mendojmë se janë çështjet më shqetësuese për qytetarët e Shqipërisë. Ne synojmë të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë, me të gjitha palët që duan të punojnë me ne, që të ndihmojmë me disa nga objektivat që sapo përmenda. Ne duam të shohim përparim të mëtejshëm në të gjitha fushat në të cilat ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme, përfshirë reformën në drejtësi, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve”.

 

Shtetet e Bashkuara, sipas diplomatit amerikan, do te vijojnë ndihmën per reformën ne drejtësi. Nga ana tjetër, shumicës së re i takon që të punojë dhe me palët e tjera për reformat.

 

“Shumica duhet të zgjasë dorën dhe ne besojmë se është e rëndësishme që shumica të jetë përfshirëse, të gjejë mënyra për ta përfshirë opozitën të luajë rolin e saj tradicional, por është e rëndësishme gjithashtu që opozita të mos dalë gjithmonë vetëm me ankesa dhe kritika, por të dalë me ide alternative, opsione për ato që propozon pala në pushtet. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë. Në çdo demokraci është e rëndësishme që partia në pushtet dhe opozita të luajnë rolin e tyre, që është të ndihmojnë vendin të ecë përpara”.

 

Sa i takon mundësisë për përfshirjen ne qeverinë Rama të njerëzve nga opozita, diplomati Yee ka këtë përgjigje:

 

“Sigurisht ne shpresojmë që të ketë një qëndrim përfshirës, që qeveria të bëjë përpjekje të punojë me opozitën dhe pale të tjera që nuk janë në partinë ose koalicionin në pushtet, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të arritur konsensus të mjaftueshëm në vendime të rëndësishme. A bëhet kjo me emërime apo përmes dialogut normal politik, me kompromise, me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ka shumë mënyra për të arritur konsensus. Ajo që është e rëndësishme është që shumica, ashtu edhe opozita ta shikojnë punën që e pret Shqipërinë në frymën e bashkëpunimit, në frymën e vendosjes së interesave të qytetarëve të vendit, mbi interesat politike, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet që do të ndihmojnë vendin, jo vetëm partitë politike”.

 

Ndërsa lidhur me marrëdhënien mes Ramës dhe presidentit të zgjedhur Meta, zëvendës ndihmës sekretari amerikan, tha se ata duhet të bashkëpunojnë në nivel institucional.

 

“Ne presim që të ketë diskutime dhe debate të forta mes udhëheqësve të Shqipërisë, por në fund të fundit ajo që inkurajojmë ne, ajo që ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë të bëjnë, është gjetja e zgjidhjeve, përgjigjeve, gjetja e kompromiseve që të ulin korrupsionin dhe të rrisin interesin për Shqipërinë si destinacion për investime, që do të ulnin rrezikun e ekstremizmit dhe të godasin trafikimin e paligjshëm të narkotikëve dhe krimin e organizuar”.

 

Në fund të intervistës, Yee nënvizoi rrezikun që ka ndikimi rus në Ballkan, nëse qeveritë nuk vijojnë me reformat përkatëse dhe krijojë situata destabiliteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *