Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun izraelit Gideon Sa’ar.
Me anë të një njoftimi, Hoxha thotë se Shqipëria qëndorn në solidaritet të plotë me popullin izraelit si dhe vlerëson qëndresën e tyre.
Hoxha në njoftimin e bërë thotë se Shqipëria së shpejti do të shpallë Gardën Revolucionare Iraniane organizatë terroriste.
“Faleminderit, Ministër Gideon Sa’ar, për urimet dhe për bisedën tonë të frytshme.
Në këto kohë të vështira dhe sfiduese, Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me popullin izraelit dhe të gjithë ata që janë prekur nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu. Shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm dhe ne vlerësojmë kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit.
Shqipëria mbështet përpjekjet ndërkombëtare vendimtare për të parandaluar përvetësimin nga regjimi iranian, të armëve bërthamore apo të çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që kërcënon paqen në rajon dhe më gjerë. Irani meriton një qeveri nga populli dhe për popullin. Shqipëria së shpejti do të marrë një vendim zyrtar për ta shpallur IRGC, ashtu siç është në të vërtetë: një organizatë terroriste.
Unë e vlerësoj thellësisht miqësinë e kahershme dhe lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe mbi një histori unike solidariteti midis popujve tanë. Këtë vit shënohet 35-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, një moment i rëndësishëm që pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e kësaj miqësie. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë“, shkruan ministri Hoxha.





