Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetuese Qeverinë e udhëhequr nga ai.

“Unë e pranoj plotësisht këtë vendim dhe do ta respektoj pa asnjë diskutim. Nuk do të lëshohem në diskutimin e vendimit të Kushtetueses. Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar, bazuar në parimin e sigurisë juridike, edhe faktin që ky aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues. Vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi dhe qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, tha Hoti.

Ai po ashtu bëri thirrje që Kuvendi të mos shpërbëhet, pa u miratuar buxheti për vitin 2021 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që tashmë janë nënshkruar nga Qeveria e tij.

Hoti tha se ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që të caktohet një seancë e veçantë për miratimin e projektligjit për buxhet dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Sot kam pasur një takim edhe me komunitetin e biznesit, për të diskutuar masat që kemi në votim në Qeveri dhe ka qenë kërkesë edhe e atyre, që buxheti të miratohet sa më parë, duke qenë se pakoja për rimëkëmbje ekonomike është e lidhur me këtë buxhet”, tha Hoti.

“Bashkë me këtë buxhet (janë) edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, sepse një pjesë e buxhetit, sidomos në shëndetësi, bazohet në disa marrëveshje ndërkombëtare që i kemi të nënshkruara dhe presin miratimin në Kuvend”, tha Hoti në një konferencë për media në Prishtinë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 21 dhjetor, konstatoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *