Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se po studiohen përvojat e vendeve të tjera.

Sipas tij, po ashtu janë duke shqyrtuar edhe platformat e ndryshme të ndihmesës për stafin mësimdhënës dhe nxënësit, sidomos në organizimin më të mirë të punës praktike në arsimin e mesëm profesional.

Megjithatë, Hoti tha se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike.

“Në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen plotësisht komunat, të cilat do të kenë përgjegjësi që të zbatojnë udhëzimet. Gjatë javës që vjen, do të jemi në kontakt me kryetarët e komunave dhe drejtorët për arsim, për të diskutuar modalitetet e mundshme të fillimit të vitit shkollor”, ka shkruar Hoti.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në cilësinë e mësimdhënësit të Fakultetit të Edukimit në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që viti i ri shkollor 2020/21 të fillojë në objektet shkollore.

Mësimi në distancë, siç shkruan Beqiri, lë shumë zbrazëti në procesin e nxënies, sidomos në klasat e ulëta të fillore.

Mësimi në distancë, sipas tij, thellon edhe më shumë hendekun e njohurive të nxëna në mes nxënësve të dalluar dhe atyre që janë më të dobët.

Ai thotë se viti shkollor që shkoi ka dëshmuar se shumë nxënës, të cilët kanë qenë mirë me mësime, gjatë kohës së mësimit në distancë kanë pësuar rënie drastike.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në një postim në rrjetin social Facebook ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për paqartësi sa i përket rifillimit të vitit të ri shkollor.

Sipas saj, Ministria e Arsimit tashmë do duhej të bënte publike planet e saj për fillimin e vitit shkollor, pra më shumë se një plan duke marrë parasysh situatën me pandeminë.

“Akoma ka një paqartësi të plotë: A do të kthehen nxënësit në shkolla, do të vazhdojë mësimi online apo do të jetë mësim i kombinuar. Duhet fillimisht një vendim i shpejtë dhe i menduar shumë mirë për formën e mësimit, për të gjitha nivelet e shkollimit formal që nga parashkollorët dhe çerdhet e deri në arsimin e lartë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Institucionet shkollore në Kosovë ishin mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë.

Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta mësimi në distancë zhvillohet në mënyrë të decentralizuar ku mësimdhënësit janë bartësit kryesor të mësimit në distancë./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *