Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë të premten se pavarësisht atyre, që i ka cilësuar provokime nga shteti i Serbisë, Kosova po vazhdon sigurt rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe institucione tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Ai i ka bërë këto komente përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke thënë se Serbia ka pasur vazhdimisht qasje destruktive në raport me Kosovën, pavarësisht zotimeve që ka bërë Serbia për paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon.

Deklaratat e Hotit vijnë një ditë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka postuar në rrjete sociale flamurin serb mbi hartën e Kosovës.

Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, si nga qytetarët, ashtu edhe nga politikanë e personalitete, edhe nga vendet tjera.

Pas këtij postimi ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, i cili ka përsëritur të premten thirrjet për liderët politikë, në Kosovë dhe Serbi, që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat, të cilat shkojnë në kundërshtim me normalizimin e raporteve mes tyre.

Thirrjet nga ana e BE-së për përmbajtje nga deklaratat nxitëse dhe veprimet që nuk janë në frymën e pajtimit kanë ardhur rregullisht sa herë që ndonjë politikan nga rajoni ka bërë veprime, të cilat kanë nxitur reagime nga palët tjera.

Por, BE-ja në të njëjtën kohë, është përmbajtur nga identifikimi i qartë i personave, të cilëve u bën thirrje të tilla, duke preferuar që ato t’i bëjë në mënyrë të përgjithësuar.

Zyrtarë të bllokut evropian janë në pritje të formimit të qeverisë së re në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, parti fituese e zgjedhjeve në Kosovë, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij.

Dialogu mes Kosovë dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian në Bruksel, ka nisur më 2011.

Më 8 mars të këtij viti është shënuar përvjetori i 10-të i nisjes së këtij procesi./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *