Subscribe

Këtë të shtunë u kryen homazhe për shkrimtarin Moikom Zeqo. Pjesë e homazheve ishte edhe presidenti Ilir Meta, i cili vlerësoi figurën e tij. Meta tha se Zeqo ishte një njeri largpamës dhe se mungesa e tij do të ndjehet shumë në të ardhmen.

“Kam patur fatin ta lexoj para se ta njoh nga afër, edhe në momente të vështira dhe të mësoj mjaft prej tij. Është nga ata njerëz që për njohuritë dijet nga fushat më të ndryshme janë shumë të rrallë, aq më tepër në një vend si i yni. Mungesën e tij do ta ndjejmë në të ardhme për faktin se njohjet dhe dijet e tij i vuri në shërbim të kauzave kombëtare, publike, në shërbim të së vërtetës. Si misionar që ishte ai kishte përfytyrime dhe ishte largpamës. U vendos gjithnjë në anën e duhur të historisë dhe zhvillimeve. Ishte një personalitet që i dha Shqipërisë shumë më tepër se sa mori prej saj. Dha kontribut të jashtëzakonshëm dhe la vepër po aq të jashtëzakonshme për mbrojtjen që i ka bërë historisë dhe kulturës sonë si dhe për vështrimin kritik që kërkonte një Shqipëri më të drejtë e më humane.”

Kreu i shtetit nuk la pa përmendur edhe rolin që Moikom Zeqo ka patur brenda Partisë Socialiste. Sipas Metës, ai ishte kritik dhe njeri me parime.

“Ishte një personalitet që mund të kalonte me PD në ‘90, por ai nuk i mohoi bindjet dhe karakterin e vetë, se ishte i majtë me bindje të forta demokratike. Këtë e tregoi përgjatë gjithë jetës së tij. Ishte ndër kontribuesit kryesorë të hapjes së PS, në mbështetje të të rinjve si puna ime e Majko. Donte transformim të së majtës, në vitet më të errëta të saj në ’91-9., E qartë mbetet se edhe brenda familjes politike qëndroi një personalitet kritik dhe parimor, problematik me çdo lloj pushteti por i dashur dhe i adhuruar nga qytetarët, lexuesit dhe dashamirësit e pafund që vlerësonin virtytet e tij dhe njohuritë e tij si dhe pa bërë kompromis për të vendosur interesin e tij para interesit kombëtar.”

Moikom Zeqo u nda nga jeta të hënën nga një sëmundje e rëndë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *