Shqipëria për here të parë do të kryesojë Organizatën Europiane për Siguri dhe Bashkëpunim, OSBE, në vitin 2020.
Këtë të premte në Milano gjatë takimit të 25-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, Shqipëria mori mbështetjen unanime të vendeve anëtare për kandidaturën e saj për të drejtuar këtë organizatë të rëndësishme.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili mori pjesë në punimet e takimit, tha se kjo është fitorja më e madhe e politikës së jashtme në kuadër të bashkëpunimit multilateral, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
“Ky është një vendim i madh për Shqipërinë, është një fitore për politikën tonë të jashtme, për kursin tonë konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, në Mesdhe. Hapësira e OSBE-së shtrihet nga Vankuveri në Vladivostok, e për pasojë do të testohen jo vetëm kapacitetet politike dhe diplomatike të vendit tonë gjatë ushtrimit të përgjegjësive në Trojkë dhe në drejtimin e OSBE-së, por njëkohësisht dhe aftësitë tona për të ndërvepruar me të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate të madhe, me vendet partnere, me institucionet autonome që veprojnë brenda arkitekturës institucionale të OSBE-së, të cilat në një mënyrë a një tjetër kanë një impakt pozitiv në këtë hapësirë.”
Kryesia shqiptare e OSBE-së si një vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor vjen pas katër kryesive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm Shqipëria do të bëhet pjesë e Trojkës së kryesisë së OSBE-së, bashkë me Sllovakinë, e cila merr kryesinë në vitin 2019 dhe Italinë, që po mbyll kryesinë e saj.
Kryediplomati shqiptar shprehu angazhimin e vendit në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në atë të OSBE-së në tërësi.