Ilir Meta është Presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që shkarkohet nga Parlamenti për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Partia Socialiste e cila 4 vite më parë e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë, votoi së bashku me deputetët e opozitës shkarkimin e Ilir Metës nga posti më i lartë i shtetit shqiptar.
Kryeministri Edi Rama i cili për herë të parë foli në parlament këtë vit, mbajti një nga diskutimet më të shkurtra pro shkarkimit të ish-aleatit të tij Ilir Meta.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
“Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga Parlamenti dhe fjalët për të si president kanë mbaruar.”
Sipas shefit të qeverisë Rama, Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës.
“Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri.”
Vota për shkarkimin e Ilir Metës është edhe një prej votimeve të fundit të Pandeli Majkos në Parlament, i cili nuk do të jetë me deputet për herë të parë pas rreth 3 dekadash.
PANDELI MAJKO
DEPUTET I PS
“Arsyet pse kam dal sot për të nënvizuar pozitën time të vështirë. Kryetari i grupit parlametar e di shumë mirë që unë e kam refuzuar ta firmos për herë të parë kur u iniciua shkarkimit i Presidentit Meta, arsyet janë të shumta, por tanimë mendoj që Meta është bërë promotor i mosseriozitetit të shtetit shqiptar e karshi të tjerëve.”
Brenda 5 ditëve ky vendim i Parlamentit do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese e cila vendos përfundimisht fatin e Ilir Metës.
Në mënyrë që kryetari i shtetit të shkarkohet duhet që të paktën 5 nga 7 gjyqtarët që ka Kushtetuesja të votojë pro vendimit të Parlamentit.
Ilir Meta u zgjodh President i Republikës në 29 prillin e 2017 me 87 vota pro dhe 2 kundër. Asokohe Partia Demokratike dhe aleatët e saj ishin ngujuar në çadër para Kryeministrisë dhe Meta u votua vetëm me votat e mazhorancës.





