Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të votojë qeverinë teknike e cila do të drejtohet nga Talat Xhaferi.
I pari shqiptar në Maqedoninë e Veriut i cili mban postin e kryeministrit, pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhjet.
Lexo edhe :
Related Posts
Ky ligj parashikon që brenda 100 ditëve vendi të drejtohet nga një qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral.
Ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pritet të mbahen më 8 maj.
Pjesë e kësaj qeverie teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale.
Partia do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Bashkimi Demokratik për Integrim, Lidhja Social Demokrate dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.
Xhaferi në postin e kryeministrit teknik është caktuar nga BDI-ja, e cila seancën plenare të kësaj të diele e ka cilësuar si “ditë historike”.
Ndërkaq, VMRO-ja, edhe pse do të jetë pjesë e Qeverisë, ka bërë me dije se në aktin e votimit do të jetë e përmbajtur.
Opozita ka bërë të ditur se nuk mund të votojë Talat Xhaferin për kryeministër pasi e akuzon për shkelje të shumta që sipas tyre ka bërë kur ka qenë kryetar kuvendi.
Kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.
Për Qeverinë teknike duhet të votojnë 61 nga 120 deputetë që ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Edhe pa votat e VMRO DPMNE-së, shumica aktuale ka numrin e nevojshëm për të miratuar kabinetin e ri. Votimit të qeverisë teknike i paraprin një seancë e gjatë parlamentare ku do të ketë edhe diskutime./vizionplus.tv