Nga Blerina Cene
33 ish- zyrtarë kanë përfunduar në sitën e SPAK, gjatë vitit që lamë pas, për vepra penale si korrupsion, shpëdorim detyre, e shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Nga ana tjetër, SPAK arriti të hetojë edhe 2 organizata kriminale, një bilanc ky pozitiv, sipas kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani.
“Subjektet e korrupsionit janë inovatorë. Të rralla janë rastet kur ai që merr e që jep te kenë kontakt direkt. Nga hetinet na rezulton se tani krijohen subjekte juridike, shoqëri, transaksion oas transaksioni për të humbur gjurmët e dhënies së përfitimit të parregull”, tha Altin Dumani.
Megjithë kornizën kushtetuese që u ofron prokurorëve mbrojtje, kreu i SPAK nuk e fshehu presionin që sipas tij vjen nga politika e media dhe kërcënimin nga krimi i organizuar.
“Në çdo rast kur prokurorë të SPAK, apo edhe gjyqtarë, apo hetues të BKH, kanë qenë objekt kërcënimi apo kanosje nga krimi i organizuar. Edhe KLP ka qenë i angazhuar maksimalisht në adresimin e këtyre rasteve që gjithnjë e më tepër po bëhen më të shumta dhe shqetësuese”, u shpreh Dumani.
Dumani thotë se nga ana qytetarëve është rritur besueshmëria ndaj SPAK, që është përkthyer në numër më të lartë të kallëzimeve, por referimet nga ana e institucioneve, lënë për të dëshiruar.
“Po marr institucione të rëndësishme, Doganat apo tatimet që të mos kenë 1 rast, 5 raste, 10 raste për të mos referuar në SPAK. Besoj që niveli i korrupsionit nuk është zero në Tatime dhe Dogana, dhe kjo është ajo që prezantojmë në raport, pasqyrojmë realitetin”, shtoi kreu i SPAK.
Kryeprokurori i SPAK kërkon ndryshime ligjore për të realizuar edhe ekstradimet e personave që janë në tagrin ligjor të këtij institucioni.
“Nisur edhe nga fakti këta shtetas shqiptarë akuzohen për vepra penale për krim të organizuar dhe që SPAK ka kompetenca do ishte e përshtatshme që edhe ekstradimi të ishte në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, por jemi të vetëdijshëm që ka nevojë për ndryshime ligjore”, tha ai.
Kreu i SPAK kërkoi edhe një herë që prokurorët e posaçëm të kenë mundësinë për të rikandiduar, gjë që po ashtu do të sillte ndryshime ligjore.
Në fund, ai u shpreh i lumtur për 40 hetuesit e rinj që do i bashkohen BKH, duke e çuar numrin e agjentëve në 100. /vizionplus.tv